getlstd property photo1 560x416 - Platformë e re për punëkërkuesit dhe skemën sociale në Ferizaj

Qendra Rajonale për Punësim në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj kanë nisur implementimin e një platforme të re për punëkërkuesit dhe skemën sociale. Këto institucione publike janë përkrahur nga niveli qendror me projekte të ndryshme në mënyrë që punëkërkuesit të gjejnë punë publike në pastrim të pyjeve dhe të ambientit.

Ndërkaq, platforma e re parasheh që punëkërkuesit të cilët janë të aftë për punë duhet ta pranojnë ofertën e punësimit, në të kundërtën atyre do t’i ndërpritet ndihma sociale. Në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj rreth 600 familje janë në kategorinë e dytë të skemës sociale të cilat kanë së paku nga një anëtar të aftë për punë, andaj sipas zyrtarëve të këtij institucioni ata duhet të punësohen nëpërmjet platformës së re.

Naim Gashi, shef i Qendrës Rajonale për Punësim në Ferizaj ka thënë për KOHËN se është një veprim i nevojshëm dhe vetëdijësues për rastet në skemën sociale.

“Kemi nisur implementimin e një platforme të re për punëkërkuesit të cilat marrin ndihmë social. Jemi duke punuar me këtë platformë si në sistemin gjerman, pra nëse zyra e punësimit i gjen një punë publike punëkërkuesit dhe nëse ai e refuzon atë pa ndonjë arsyeje të bazuar atëherë do t’u ndërpritet ndihma sociale. Pra me këtë rast sipas platformës ne do t’i gjejmë dy herë punë secilit punëkërkues, ndërkohë të shohim a po refuzohen apo jo ofertat tona”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, secili punëkërkues duhet të angazhohet për të punuar, ndryshe arsyetimet e tyre të pa bazuara do t’ia shkëputin ndihmën sociale.

“Kërkojmë nga punëkërkuesit që t’i pranojnë mundësitë për punësim sepse ne kemi mjaft projekte publike që mund të inkuadrohen në pastrim të pyjeve. Prandaj nëse ata i refuzojnë dy herë këto kërkesa, sipas skemës do t’iu ndërpritet sociali”, ka bërë me dije Gashi.

Sipas tij, shumica e punëkërkuesve regjistrohen vetëm sa për t’i rregulluar dokumentet për ndihmë sociale.

Ruzhdi Latifi, drejtor në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ka thënë se aktualisht janë të regjistruara mbi një mijë familje në skemën e ndihmës sociale, prej tyre 600 familje janë në kategorinë e dytë që kanë një anëtar të aftë për punë.

Sipas tij, shpeshherë këta qytetarë arsyetohen se janë të sëmurë dhe nuk mund të punojnë duke mos sjellë fakte konkrete.

“Numri i familjeve në skemën sociale është rritur gjatë pandemisë, andaj së bashku me Qendrën për Punësim kemi nisur ta implementojmë platformën e re për t’i gjetur punë këtyre familjeve, por nëse ato refuzojnë do t’ia ndërpremë socialin. Për këtë çështje tashmë është marrë vendim sepse në mesin e këtyre 600 familjeve kanë anëtar të shëndosh që mund të punojnë dhe të sigurojnë të ardhurat për familjen”, ka thënë Latifi.

Ai ka shtuar se prej disa muajsh këto familje po e marrin ndihmën e dyfishtë nga skema sociale për shkak të pandemisë, prandaj edhe interesimi i tyre për të kërkuar punë ka rënë shkaku i të hyrave.

“Këta qytetarë janë mësuar të punojnë nga 3-4 orë gjatë ditës për të marrë ndonjë mëditje nëpër qytet dhe të marrin edhe ndihmën sociale, prandaj nuk janë të interesuar që të punojnë 8 orë në punë të rregullta. Ndërkaq, me platformën e re do të obligohen shumë prej tyre që të pranojnë të punësohen derisa janë të shëndosh sepse në të kundërtën do t’i ndërpritet ndihma sociale”, ka bërë me dije Latifi./koha/