arrestohet1 560x416 - Prokuroria kërkon dënimin e policit në Ferizaj që akuzohet se keqtrajtoi qytetarin

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar që zyrtari policor, Rrahman Fetahu të shpallet fajtor për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve zyrtare”.

 

Propozimin që i akuzuari Fetahu të dënohet për këtë vepër penale, e ka bërë prokurorja e rastit, Zana Sadiku-Sertolli, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në të cilën palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, raporton Betimi për Drejtësi.

Ajo fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke kërkuar nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Në bazë të nenit 352, paragrafi 1, të KPPRK-së, fjalën përfundimtare do ta dorëzoj me shkrim, dhe duke u bazuar në të, mbes në tërësi pranë aktakuzës së ngritur ndaj të akuzuarit Rrahman Fetahu, dhe i propozoj gjykatës që të akuzuarin në fjalë ta gjej fajtor, dhe t’i shqiptoj dënim meritor konform ligjit”, ka thënë Sadiku – Sertolli.

Ndërsa, i akuzuari Fetahu, në fjalën përfundimtare, sërish deklaroi se nuk e ndien veten fajtor për këtë vepër.

Ai ka deklaruar se të gjitha veprimet e tij kishin qenë sipas autorizimeve dhe Ligjit për Policinë e Kosovës, dhe se gjatë 20 viteve përvojë pune, nuk kishte ndodhur asnjëherë që ai të kishte keqpërdorur autoritetin zyrtar apo t’i kishte tejkaluar kompetencat e tij.

Ai edhe njëherë ka dhënë sqarime rreth ngjarjes që kishte ndodhur.

“Ditën kritike unë kam qenë para objektit të ish-Gjykatës Themelore në Ferizaj, dhe atë në detyrë zyrtare dhe i veshur me uniformë, ku një qytetar të cilin nuk e kam njohur, ka kërkuar ndihmën time që t’i tregoj se ku gjendet objekti i KEK-ut. Është obligim i imi që t’i ndihmoj personat, e sidomos kur në pyetje janë objektet publike, e gjithashtu është autorizim i imi zyrtar që të jem vigjilent dhe të shoh edhe rrethin ku gjendem. Pikërisht vëmendjen ma ka tërhequr personi i cili më ka akuzuar, të cilin atë ditë kam dashur ta identifikoj. E kam të drejtën që t’i kërkoj dokumentet e identifikimit, e po ashtu edhe nëse duhet të përdoret forca e domosdoshme për arritjen e ligjshmërisë. Personin të cilin kam dashur ta identifikoj, ka qenë një person i cili qëndronte së koti në objektin e KEK-ut, i cili ka refuzuar të identifikohet, dhe kur një person refuzon dhënien e dokumentit të identifikimit, ligji më obligon që t’i marrë masat shtesë, kur nuk janë të mjaftueshme komandat verbale. Si masë shtesë është vendosja e një personi në një vend të sigurt për mua dhe për rrethin, ku si vend adekuat ka qenë vetura e policisë, e më tutje edhe shoqërimi i tij për në stacionin policor në Ferizaj. Me të arritur aty, ndaj tij është bërë një rast për fshehje të identitetit dhe mosbindje ndaj personit zyrtar”, ka thënë Fetahu.

Pas kësaj, gjykatësja e rastit, Hysnije Gashi, e ka shpallur të përfunduar gjykimi, duke bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 22 gusht 2019, në ora 14:00.

Ndryshe, ndaj të akuzuarit Fetahu ishte bërë rikualifikimi i veprës penale, nga neni 422, paragrafi 2, nënparagrafi 2.5, “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, në nenin 198, paragrafi 1 “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve zyrtare”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 tetor 2017, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Rrahman Fetahu, akuzohet se më 12 gusht 2016, rreth orës 14:30 në Ferizaj, në lokalet e KEDS-it, në cilësinë e personit zyrtar, polic i Kosovës, duke e keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, kishte keqtrajtuar personin tjetër, tani të dëmtuarin, Xhevxhet Brahimi.

Siç thuhet në aktakuzë, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që, deri sa i dëmtuari Brahimi kishte qenë duke pritur në radhë për nënshkrimin e kontratës për faljen e borxhit, i akuzuari Fetahu kishte shfrytëzuar pozitën e tij dhe kishte futur një person tjetër pa radhë, për çka, kishte pasur reagime nga i dëmtuari Brahimi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas reagimit të tij, i akuzuari pa ndonjë shkas i kishte kërkuar dokumentin e identifikimit, e kishte kapur për gjoksi në tentim për ta nxjerrë jashtë por që nuk kishte mundur, ia kishte dredhuar dorën, dhe derisa i dëmtuari ishte përkulur, ai e kishte goditur me gjunjë nga mbrapa, ku më pas kishin ardhur edhe dy polic të tjerë, të cilët e kishin arrestuar të dëmtuarin, dhe e kishin dërguar në stacionin policor në Ferizaj.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


www.foxshop-ks.com