w 12 560x380 - Pronari i restorantit në Ferizaj është në gjendjen më të rëndë, ka 50 përqind djegie

Dhjetëra persona janë lënduar nga shpërthimi i një bombole të gazit që ndodhi ditën e djeshme në një restorant në Ferizaj. Gjashtë persona janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe pritet të dërgohen jashtë vendit për trajtim.

6 persona janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të shpërthimit të një bombole të gazit në një restorant në Ferizaj.Të gjithë këta persona janë të shtrirë në mjekimin intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Express ka mësuar se gjendjen më të rëndë shëndetësore e ka pronari i restorantit “Stake House”, G.S.Ai thuhet se ka pësuar 50 për qind djegie të trupit dhe se është në respiratorë.

Ndërsa, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë në QKUK, Nehat Baftiu, ka dhënë informacione për Express për gjendjen shëndetësore të gjashtë pacientëve.

Ai ka thënë se 5 nga pacientët janë në mjekim intensiv qendror, ndërsa një paciente në mjekimin intensiv të Kardiokirurgjisë.

Baftiu ka treguar se pacientja më e re është e lindur në vitin 2001, ndërsa pacientët tjerë janë të lindur në vitin 1991, 1986, 1976 dhe 1975.

Pra, mosha e pacientëve sillet nga 20 vjeç deri në 45 vjeç.

“6 pacientë janë të shtrirë në mjekimin intensiv qendror ndërsa një në mjekimin intensiv të Kardiokirurgjisë. Sot gjendja e tyre është më e mirë, por që komplikimet mund të ndodhin pas ditës së pestë. Pacientët janë në respiratorë. Një nga pacientët G.S është në gjendje më të rëndë se të tjerët pasi që ka 50 për qind djegie”, ka thënë ai.

Baftiu ka treguar se janë duke menduar që të gjashtë këta pacientë t’i dërgojnë jashtë shtetit për trajtim shëndetësorë për shkak që secili prej tyre ka më shumë se 30 për qind djegie.

Pacientët pritet që sot ose nesër të dërgohen për trajtim në Turqi.

Ndërsa, dje është raportuar se më shumë se 40 persona janë lënduar si pasojë e këtij shërthimi, disa prej të cilëve janë dërguar për trajtim në Spitalin e Ferizajit pasi që gjendje e tyre shëndetësore nuk është e rëndë.

Ndërsa, nga Klinika Emergjente kanë raportuar ditën e djeshme se 15 persona janë dërguar në klinikë për trajtim për shkak të gjendjes më të rëndë shëndetësore. 6 persona pastaj kanë vazhduar trajtimin në mjekimin intensiv.