Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, në KTV ka thënë se gjithçka është gati për fillimin e vitit të ri shkollor më 14 shtator.
“Konsultimet që ndodhin vazhdimisht janë të domosdoshme. Pos Ministrive edhe prindërit janë të përfshirë aktivisht. Ka vështirësi, por jemi gati të fillojmë mësimin të hënën më 14 shtator. Komunat e shkollat kanë bërë maksimumin. Qeveria ka ndarë mbi 10 milionë euro mjete”, ka thënë Rexhaj.
Ai thotë se një pjesë e mjeteve shpenzohen nga ana e Ministrisë për mësimin online, derisa një pjesë tjetër jepet për komunat për shpenzime sanitare, si dhe në vëllimin e punëve shtesë nga ana e mësimdhënësve.
“Pa marrë parasysh që ora është më e shkurtë megjithatë ka një vëllim shtesë dhe janë ndarë rreth 3.6 milionë euro shtesë janë paraparë. Më shumë se 1 mijë mësimdhënës të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ata nuk guxojmë t’i ekspozojmë para infeksionit. Ka përpjekje, pasi 1 mijë mësimdhënës do të mbulojë mësimdhënësit që kanë diagnozë për sëmundje kronike dhe ata mbi moshën 60 vjeçare. Prindërit dhe familja duhet ta mbartë një pjesë të maskave. Pasi nuk ka qenë e lehtë me u gjend ato 12 milionë euro. Rreth 7 milionë euro shkojnë te komunat, për pedagogë shtesë, për orët shtesë, për mirëmbajtje”, thotë ai.
Ai thotë se problematike në disa komuna është numri i madh i nxënësve dhe mungesa e hapësirës.
“Gjendja hapësinore dhe mundësitë e shkolla dhe komunave, por në anën tjetër është edhe entuziazmi. Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Obiliqi e Fushë Kosova janë në gjendje më të rëndë sa i përket hapësirës. Por, entuziazmi është i lartë për të larguar këto pengesa. Nuk është vetëm çështja e numrit, por pres që këto ta kenë më të vështirë për shkak të numrit më të madh të nxënësve dhe mungesës së hapësirës. Përgjegjësitë dhe brengat e prindërve janë edhe tonat. Fronti duhet të ndërtohet në nivel individual kurse institucionet do të përkrahin”, ka thënë Rexhaj.
Ai insiston se mësimi ka mundur të niste edhe më 1 shtator, porse tani janë përgatitur më mirë.
“Kemi mundur të fillojmë edhe më 1 shtator, por tash është situata më mirë. Kërkesën minimale e kemi tejkaluar. Ne bëjmë më të mirën që mundemi në kushtet që kemi. E kemi gjetur një balancë që më 14 shtator të nisim. Krejt mësimi zhvillohet sipas planprogramit në kushte të reja, të gjithë punojnë me një planprogram dhe është i përfshirë 80 për qind e vëllimit”, ka thënë ai.