Një konflikt në çift që do të vazhdonte me dhunë ndaj gruas, përfundoi me hedhjen e saj nga kati i parë i shtëpisë. B.A dyshohet se pasi që i shkaktoi lëndime të rënda trupore përmes dhunës fizike, e hodhi nga dritarja 29-vjeçaren me të cilën ka edhe dy fëmijë. 34-vjeçarit iu është caktuar masa e paraburgimit, ndërkaq gruaja po trajtohet në spital. Gazeta Express ka qëndruar sot në Komogllavë të Ferizajt nga ku sjell rrëfimin për rastin
Tetë vite më parë, B.A nga Komogllava e Ferizajt, e K.A nga Smira e Vitisë kishin filluar të bashkëjetonin. Që nga atë herë të dy këta kishin sjellë në jetë dy fëmijë, por, që jeta së bashku ju shkoi për këto vite me shumë probleme.
Disa herë, gruaja 29 vjeçe e lajmëroi burrin, 34-vjeçar në polici nën pretekstin se ky i fundit kishte ushtruar dhunë ndaj saj.
Gjykata madje kishte marrë vendim kohë më parë, që B.A t’i qëndronte 50 metra larg gruas, por, që këtë vendim e kishte thyer vetë K.A e cila kishte shkuar të jetonte përsëri së bashku me familjen e 34-vjeçarit, aty ku i kishte edhe dy fëmijët.
Situata në mes çiftit eskaloi në datën gjashtë të këtij muaji. Në fshatin Komogllavë të Ferizajt, aty ku jetonte edhe çifti, dyshohet se 34-vjeçari pas një konflikti të gjatë që kishte pasur me gruan fillimisht kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke e goditur me shuplaka fytyrës dhe në përleshje e sipër e kishte hedhur në tokë nga dritarja e dhomës së katit të parë.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur për të njëjtin masën e paraburgimit, ndërkaq, deri më tani ende nuk është ngritur aktakuzë. Ajo sipas prokurorisë ka mundësi që të ngritët javën e ardhshme.
Familja e B.A kanë dhënë rrëfimin e tyre. Ata po thonë se ishte nusja ajo që kishte pasur probleme ndërkaq shtojnë se djali nuk kishte qenë në dhomë kur ajo kishte rënë nga kati i parë. Momentalisht K.A ka katër brinjë të thyera e tash e sa ditë po mjekohet në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Kontakti me atë ka qenë i pamundur.
Gjatë të martës, djali i vogël i çiftit B.A dhe K.A po luante para shtëpisë së tij në fshat. Pak orë më parë, vëllai 6-vjeçar i tij, kishte shkuar i shoqëruar nga Shërbimi Social për të vizituar nënën në Spital të Gjilanit. Babai i të dy fëmijëve ndërkaq gjendej në burg.
Të dy këta fëmijë kishin qenë dëshmitarë të një jete jo fortë të lehtë mes prindërve, që kishte eskaluar shpesh në dhunë fizike. Rasti kishte arritur edhe në ekstrem, kur babai i të dyve, ditën e gjashtë majit, dyshohet se e kishte hedhur nënën e tyre nga kati i parë i shtëpisë.
Krejt kjo ngjarje ka tronditur familjarët. Ata po thonë se çifti që nga fillimi kishte pasur probleme të mëdha, derisa, shkak për këtë thonë se është nusja e shtëpisë. Kjo e fundit, nuk kishte qenë e kurorëzuar me B.A e ishin martuar me ceremoni familjare.
Në një rrëfim, S.A, babai i të dyshuarit, thotë se nuk mund të flasë shumë fjalë pa marrë ekspertizën që saktëson se ku kishte qenë djali në momentin që kishte ndodhur rasti. Sipas tij, djali kishte qenë në sallon, atëherë kur siç thotë ai, nusja ishte hedhur nga kati i parë.
S.A po thotë se kishte shkuar ta vizitonte në spital nusen një ditë më parë, por, që kjo e fundit nuk pati dëshirë që ta shihte. Sipas tij, as organet e drejtësisë për këtë temë nuk po flasin fjalë të vërteta.
“Unë kam qenë një kat më poshtë duke fjete veç sa kisha ardhë prej punës, veç kur ka ra bumë në tokë, kur u qova e këqyra nusja djali krejt mrena kemi qenë. Ka ra prej katit të parë”, rrëfen ai, duke bërë të ditur se çifti tërë jetë e tyre kishin pasur probleme.
“Kanë pas probleme tërë jetën prej që ka ardhë në këtë shpi, fëmija nuk po donë me shku me pa. Sociali e ka marrë djalin e dhe grunë temë më shku me pa, po ajo nuk e di a pranon. Djali s’ka qenë në dhomë me të ka qenë në sallon”, shton tutje ai duke thënë se ky nuk është rasti i parë që nusja ishte ankuar në djalin.
“Nuk është ky rasti i parë i sajna, ka shku ka pesë gjashtë muaj ka nejt të familja vetë. Qatë ditë që ka ardhë vendimi që 50 metra nuk guxon e ju afru djali, ajo ka ardhë te shpija. Unë vet e kam lajmëru policinë çka lyp kjo me ardhë. Erdh e murr baba i vet i murrë fëmijën, kur të nesërmit kur po sho u kthy edhe fëmija po na dhimen. Edhe ajo më vjen gjynah. Ajo ska mujt me qu djalin në burg, se se ka rreh djali se ka maltreu, ajo më thojke kejt familjen ka me e qu në burg e qesi hovna të kcej aty te qoj djalin, me rrena me sene”, shton ai, teksa flet për këtë rast.
Sipas S.A (emër i njohur për redaksinë) as një rrëfim i 29-vjeçares nuk duhet të besohet pasi që ajo krejt këto gjëra i bën për ta dënuar burrin e saj me burg.
Djali i tij, i dyshuar për veprën do të qëndrojë në paraburgim derisa të vendoset për masën që do t’i jepet. Familja thonë se derisa të vendoset për këtë temë, fëmijët do të qëndrojnë nën kujdesin e tyre.
Avokati Xhavit Topalli i kontaktuar nga Express po thotë se për masën që iu është caktuar klientit të tij, është ankuar në Gjykatë të Apelit.
Ai po shton se i pandehuri nuk pranon në asnjë rast se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.
“Sipas deklaratës së pandehurit, ai nuk e pranon asnjë rast që ka bo dhunim në të. Sipas tij ai po thotë se nuk ka qenë fare aty ajo vet ka kcy prej katit përdhese. Djali ka thënë që për hatër të dy fëmijëve ka duru gjithçka tash e sa vite. Kanë pas disa mosmarrëveshje më herët”, thotë avokati.
Avokati po thotë se klienti i tij kishte qenë në market (sipas deklaratës të dhënë në prokurori), atë herë kur ndodhi incidenti, derisa babai i B.A deklaroi ndryshe, duke thënë se djali kishte qenë në sallon.
Topalli gjithashtu thotë se ka mësuar nga klienti i tij, që nusja kishte pasur probleme të vazhdueshme me vjehrrën (nënën e burrit).
Janë bërë nëntë ditë prej kur K.A, 29 vjeçe po mjekohet në Spitalin e Gjilanit. Ajo u dërgua aty me lëndime të rënda, pasi që ra nga kati i parë i shtëpisë, nga ku dyshohet se e ka hedhur burri i saj.
Momentalisht, K.A është duke qëndruar në repartin e Ortopedisë, derisa tash pas disa ditë mjekim, gjendja e saj është stabile.
Nga Spitali Rajonal i Gjilanit kanë deklaruar se 29-vjeçarja i ka katër unaza të shtyllës kurrizore të krisura.
“I ka katër unaza të krisura, po e vazhdon trajtimin në spital. Momentalisht gjendja e saj është stabile”, thonë nga spitali.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka konfirmuar se B.A është marrë në pyetje, nën dyshimet se e ka hedhur nga kati i parë gruan e tij, K.A.
Ai po thotë se deri më tani ende nuk janë përfunduar të gjitha hetimet për këtë temë, derisa në javën e ardhshme shton se pritet që të ngritët aktakuza.
Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ndërkaq, më 8 maj i ka caktuar B.A masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
“I pandehuri dyshohet se më 6 maj 2019, në shtëpinë e tij në fshatin Komogllavë – Komuna Ferizaj, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarën – bashkëshorten e tij K.A, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të gjatë mes vete, i pandehuri fillimisht ka përdorur dhunë fizike ndaj saj duke e goditur me shuplaka fytyrës dhe ashtu në përleshje e sipër nga dritarja e dhomës së katit të I-rë të shtëpisë e ka hedhur për tokë, ku si pasojë e njëjta nga kjo hedhje ka pësuar lëndime trupore e që tani është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Gjilan”, thuhet në vendim të Gjykatës.
Për këtë rast ndërkaq, avokati i B.A është ankuar në Gjykatë të Apelit.