Seanca online 870x5221 1 560x416 - Rregullorja për dhënien e parcelave komunale për ndërtim del në diskutim publik

Seanca e Kuvendit Komunal të Ferizajt edhe kësaj here u mbajt  online në të cilën u miratuan të gjitha propozimet e ekzekutivit lokal.

Kjo seancë e cila në fillim pati shumë probleme teknike, opozita propozoi që të shtyhet për një ditë tjetër dhe të mbahet në palestrën e sporteve “Bill Klinton”, por ky propozim i opozitës nuk u përfill nga kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt,  e cila nuk e hodhi fare në diskutim propozimin e tyre, duke vazhduar me procedimin e pikave të rendit të ditës.

“Kjo duhet të shtyhet, nuk mund të zhvillohet kështu, këto pika po kontrabandohen“, u shpreh Dritëro Hyseni nga LVV.

Propozimi i cili ngjalli debat ishte rregullorja për dhënien e parcelave komunale për ndërtim dhe përdorimin e bonusit. Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosjes kërkuan që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, pasi është një rregullore që nuk mund të kalohet shkel e shko.

“Kjo është rregullore qe ka me qenë në diskutim publik, kemi 2 muaj për të diskutuar derisa të dalë për votim. Është rregullore që është bërë prej nevojës, meqë telashja kryesore që po na paraqitet në vazhdimësi është prona e komunës që është në zona urbane ku me dokumente të planifikimit janë ndërtim të lartë dhe nëse nuk bëhet kjo rregullore prona e komunës shkon në zhvlerësim. Ligjet që janë në fuqi nuk e kanë saktësu në detaje qysh komuna mundet me dhënë një pronë të vetën për ndërtim. Dokumenti është i garantuar me ligj, por nuk garantoj që ministria mundet me pranu këtë rregullore, mundet edhe me refuzu. Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës dhe ligjin per bashkëpronarë.  Janë disa parcela të komunës të cilat nëse nuk jepen do të zhvlerësohen dhe për mos me leju këtë më mirë ua japim investitorëve privat, ndërsa komuna mund të përfitoj çerdhe, shkolla, banesa për raste sociale”, tha Aliu.

Unë propozova që këtë pikë ta largojmë nga rendi i dites dhe kjo pikë e rendit të ditës nuk e ka vendin në këtë seancë, pasi që është duke u zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme”, tha Imri Hashani, LDK.

“Edhe  ne pajtohemi që të shtyhet kjo pikë dhe e mbështesim propozimin e LDK-së që të shtyhet kjo pikë, përndryshe ne do ta lëshojmë këtë seancë, drejtori e tha vet që ka me pas probleme me ministrinë, atëherë pse është kaq e ngutshme që sot të votohet për diskutim kjo rregullore”, tha Dritëro Hyseni nga LVV.

 “Në asnjë mënyrë nuk jemi duke e shfrytëzuar situatën e jashtëzakonshme, por është një vulllnet me i zgjidhë problemet, për mua nuk është asnjë interes, për mua është me bë mirë, por ju e keni të drejtën e votës, për mua qysh të doni”, tha Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit.

 “Nëse kemi kaq shumë paqartësi pse duhet me miratu këtë rregullore”, tha Dritëro Hyseni nga LVV.

“Të gjithë anëtarët e kanë pasur kopje fizike këtë rregullore, po ashtu kjo rregullore është duke dalë në diskutim publik ku aty mund të sqarohet dhe debatohet për të.  Kjo rregullore nuk po bëhet vetëm për këtë ekzekutiv, por për të gjitha pushtetet që vijnë, prandaj të mbështetet kjo rregullore pasi po del vetëm si draft”, tha Arian Imeri nga PDK-ja.

“Mos e bëni këtë rregullore politike, mund të kemi telashe me ministrinë duke i njohur rrethanat se si ministria i trajton këto probleme”, tha Lulzim Aliu.

Megjithë diskutimet për dhe kundër, ky propozim i Drejtorisë së Urbanizmit kaloi me 14 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim.

Në këtë seancë të zhvilluar online u miratua edhe Draft Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2021-2023, për të cilën drejtoresha e Financave tha se në krahasim me vitin 2020 do të ketë rënie të buxhetit për 2.85%  në 2 vitet e ardhshme.

Po ashtu, sot u aprovua statuti i Galerisë së Arteve “Ismet Rama” në Ferizaj, propozim-vendimi për ndarjen e një pjese të parcelës komunale në Prelez të Muhaxherëve për ndërtimin e objektit të qendrës mjekësore, propozim-vendimi për shpallje të interesit të përgjithshëm të objektit  “Pompë e derivateve Jugo Petrol” e cila gjendet përballë ”Plus Marketit”, propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të dy ngastrave kadastrale në Dramjak, si dhe u zëvendësua përfaqësuesi i KBI-së në këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.

Burimi : Televizioni Tema

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.