Turizmi në Shqipëri, po pëson një zhvillim të shpejt dhe me këtë ritëm pritet që Shqipërinë ta vizitojnë rreth 10 milion turistë të huaj në vit, brenda pesë viteve të ardhshme.
Kryeministri, Edi Rama gjatë fjalës së tij gjatë hapjes së zezonit turistik në qytetin e Vlorës, u shpreh se synohet që Shqipëria të kthehet në një destinacion kryesor të ofertës mesdhetare për tregjeve ndërkombëtare të turizmit.
Një nga instrumentet që qeveria ka vendosur për të realizuar këtë qëllim është reduktimi i taksës së turizmit nga 20% në 6%, si dhe heqja e TVSH për dhjetë vjet për hotelet e reja me 4-5 yje.
“Vetëm pak muaj më parë, “The Guardian” e renditi vendin mes 20 vendeve ku mund të zhvillohet turizmi. Rritja e pranisë së vendit në faqet e gazetave, revistave, mediave online në botë që kanë folur për turizmin është një rritje e ndjeshme, por jo befasuese. Të paktën jo për ne, pasi jemi shumë të qartë për çfarë kemi synuar në këtë proces transformimi, ku instrument kryesor ka qenë programi i Rilindjes Urbane”, tha Rama.
“E kemi të qartë se ku duam të arrijmë dhe duke pasur parasysh se vjet arritëm 5 milion turist të huaj dhe sivjet presim të paktën minimalisht 15% më shumë se vjet, atëherë në harkun e pesë viteve është plotësisht i mundur objektivi i 10 milionë turistëve të huaj”, tha Rama.
“Nuk e zgjodhëm kot Vlorën për të bërë këtë paraqitje, pasi Vlora është një nga polet kryesore të turizmit dhe është emblema turistike që ka prekur të gjitha zonat turistike në vend e që po përparon vit pas viti. E dimë, që Vlora është ende një kantier, pra është në një proces transformimi të vazhdueshëm. Mjafton të shohësh investimin te “Bulevardi qendror që të çon drejt skelës, për ti dhënë qytetit një fuqi të re tërheqëse, me shumë gjelbërim e atraksion”, përfundoi Kryeministri. /ATSH