Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka dhënë detaje për vdekjen e 24-vjeçares nga Ferizaj. Në përgjigjen e tyre për gazetën Express thuhet se ajo ishte e konfirmuar me COVID-19 dhe kishte lindur me operacion. Zyra për Media e SHSKUK-së ka bërë të ditur se viktima ishte e konfirmuar me COVID-19 dhe kishte lindur me operacion. “Zyra për medie e SHSKUK-së ju konfirmon se ditën e djeshme në Mjekimin Intensiv COVID në QKUK, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor, nuk ka arritur të mbijetonte një nënë e lindur më 1997-n, nga komuna e Ferizajt, e cila ishte e konfirmuar me COVID, e njëjta kishte lindur me operacion në Klinikën e Gjinekologjisë, në javën 34, të shtatzënisë”, thuhet në përgjigjen e tyre. Sipas kësaj zyre, pas lindjes 24-vjeçares i ishte keqësuar gjendja dhe ishte transferuar në Klinikën Sportive. “Pas lindjes i ishte keqësuar gjendja dhe ishte transferuar fillimisht në Klinikën Infektive 2 (Sportive), e më pas më datën 4 prill në Mjekimin Intensiv – COVID”. Viktima sipas njoftimit, më 6 prill, ka rezultuar negative me COVID-19, por nuk arriti të mbijetonte, meqë kishte gjendje të rënduar shëndetësore. “Në ritestim të datës 6 prill e njëjta ishte negativizuar në testin për COVID, por përkundër kujdesit maksimal, e njëjta nuk arriti të mbijetonte, meqë kishte gjendje të rënduar shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.