auto vizat21531819356 560x416 - S`ka liberalizim të vizave as gjatë këtij viti?

Edhe dy ditë Kosova merr lajmin për vizat

Edhe dy ditë kanë mbetur deri në ditën kur Kosova do të marrë vendimin lidhur me rekomandimin për liberalizimin e vizave. Të mërkurën më 18 korrik do të kuptohet nëse Kosova e ka përmbushur apo jo kriterin e mbetur për liberalizimin e vizave që është, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në ndërkohë, liderët e shtetit po vazhdojnë të japin premtime të mëdha për një rekomandim pozitiv. Në anën tjetër, analistët vlerësojnë se ka pak gjasa që liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij viti.

Liberalizimi i vizave, ka disa vite që iu është premtuar qytetarëve nga krerët e shtetit, pa marrë parasysh se kush ishte në udhëheqjen e shtetit.
Por, këto premtime kanë mbetur vetëm thjesht premtime, pasi që ende qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të lëvizin lirishtë në vendet e Bashkimit Evropian.

Krerët e shtetit vazhdojnë të japin premtime boshe.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët vlerësojnë se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë në një afat të afërt kohorë..

Premtimet

Përkundër kësaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë gjatë një vizite në Ferizaj se nuk mund të japë ndonjë datë të përafërt se kur mund të ndodhë liberalizimi, por do të ndodh shumë shpejt.

“Një gjë mund të ju konfirmojë qytetarëve të Kosovës se në ditët e ardhshme do të kemi lajme të mira për liberalizmin e vizave, dhe gjatë këtij viti qytetarët do të lëviznin lirshëm në zonën Schengen. Gjatë sezonit të vjeshtës do të punojmë që të lehtësohet lëvizja e lirë për qytetarët”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në Kuvend, kur u diskutua për të gjeturat e Raportit të Progresit, pati deklaruar se heqja e vizave do të na konfirmohet para pushimit të verës. “Për vizat është vendosë, por ajo temë nuk është përfshirë në raport se vetë karakteri ka dedikim të caktuar është një arritur e madhe fakti se i është rekomanduar hapja e negociata dy fqinjëve tonë. Jam i bindur se ajo që na intereson neve, pra heqja e vizave, ajo do të ndodhë. Mendoj se para pushimit të verës do të na konfirmohet”, pati thënë kryeministri i Kosovës.

Krasniqi: Ka mungesë bashkëveprimi të krerëve institucional

Analisti politik, Faik Krasniqi ka thënë për “Bota sot”, se krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës nuk kanë një dakordim sa i përket procesit të liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Kjo shihet se krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës nuk kanë një dakordim sa i përket procesit të liberalizmit të vizave për Kosovën, e cila po ashtu do të thotë një mungese bashkëveprimi institucional e politik në mënyrë që të arrihet përmbushja e premtimeve që iu janë bërë qytetarëve tanë po nga të njëjtit udhëheqës të institucioneve, pra nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj”, ka deklaruar ai.

Sipas, tij, nuk ka fare gjasa që BE-ja të japë rekomandim gjatë javës dhe se presidenti dhe kryeministri po mundohen që të largojnë vëmendjen e opinionit nga përgjegjësia e tyre.

“Ka shumë pak gjasa apo fare që BE ta miratojë apo ta japë një rekomandim gjatë kësaj jave e cila është llogaritur si optimale për liberalizimin e vizave me Kosovën, kështu që duke e parë këtë dështim të tyre për të marrë këtë rekomandim, tash si presidenti po ashtu edhe kryeministri do të mundohen të kamuflojnë arsye të ndryshme dhe po ashtu duke vetë caktuar afate të tjera do të mundohen ta largojnë vëmendjen e opinionit nga përgjegjësia e tyre për dështimin institucional në raport me lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në zonën Shengen. Pra edhe për një kohë, ne si qytetarë të Kosovës do të vazhdojmë të mbesim në geto pa të drejtë të lëvizjes së lirë pa viza në BE, dhe kjo për shkak të udhëheqësve tanë shtetërorë të papërgjegjshëm dhe të inkriminuar”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Nuk ka liberalizim gjatë këtij viti?

Kurse, analisti tjetër, Nexhat Haziri, ka thënë se që nga viti 2010 janë duke premtuar rrejshëm për liberalizimi i vizave dhe se deklaratat e tyre nuk duhet të merren parasysh.

“Jemi mësuar me politikanet tanë që të japi afate se kur do të ndodh liberalizimi i vizave. Prej 2010 janë duke e duke dhënë premtime të rrejshme. Prandaj deklaratat e tyre nuk bën të merren seriozisht. Pikë së pari Komisioni Evropian duhet të jap vlerësim pozitiv për liberalizim të vizave”, ka theksuar ai.

Për më tepër, ka shpjeguar se çështja dërgohet në Parlamentin Evropian për votim nga euro deputetet.

“Nëse votohet me shumicën e thjeshtë, Parlamenti Evropian e dërgon çështjen në Këshillin e Ministrave ku votohet veç e veç nga ministrat e punëve të brendshme të çdo shteti anëtar i BE-së. Edhe aty nevojitet votim i shumicës së thjeshte të vendeve anëtare. Pas votimit në këto mekanizma jepet data e saktë se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në zonën schengen”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, ka thënë sipas kësaj nuk ka gjasa të ndodh në dhjetor, e lëre më gjatë kësaj vjeshte.

“Nëse çdo gjë shkon me kohë sipas procedurave, qytetarët e Kosovës gjatë pranverës së vitit të ardhshëm mund të lëvizin lirshëm nëpër BE. Më herët nuk ka as gjasa teorike e as praktike”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

Kosova ka edhe disa obligime ndaj Brukselit

Ndërkaq, analisti i çështjeve politike, Ali Hertica ka thënë se udhëheqësit politikë po shkelin të drejtat e qytetarëve pasi, që nuk do të ketë asnjë datë për liberalizimin e vizave.

“Kosova është shtet dhe qytetaret si i tillë ka aspiratat e veta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por, me këtë kastë politike të oligarkëve politik duket se është vështirë ku nuk janë fare duke luftuar krimin dhe korrupsionin dhe disa veprime, të cilat shkelin tërësisht të drejtën qytetare ku nuk do ketë asnjë datë që thuhet për liberalizim, por kjo është vetëm për qëllime të poentave politik siç deklaroi Presidenti Thaçi sepse nuk i bëjmë favor agjendës evropian, kur tani parlamenti evropian thuajse do shkon në pushimet e tyre vjetore.. Kosova ka edhe disa obligime ndaj Brukselit për t`i përmbushur deri tek trokitja në dyert e EU-s ku kemi përfundimin e bisedimeve me Serbinë, asociacioni i komunave serbe dhe ajo që është me tmerruese për shoqërinë korrupsioni ku tu jap shtetësi qytetarëve tanë, tash a do të merret në konsideratë nga Bashkimi evropian dhe vet parlamenti Evropian ku kjo është çështje tjetër dhe nuk do të spekulojë për data dhe muajt . Por, plotësimi i obligimeve që i ka parashtruar si kusht mund të them se Kosova duhet të punon dhe t’i adresojë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për me tepër, Hertica ka shtuar se koha ka treguar se nuk do të ketë viza ndoshta edhe me vite, pasi që kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian janë obligative.

“Kryeministri Haradinaj pasqyroi në Kuvendin e Kosovës raportin ku deklaroi se me miratimin e kufirit me Malin e zi për Kosovën do jetë hapja e derës drejt BE-së, por koha tregoi se viza mbetet edhe ndoshta me vite, sepse kushtet që i ka parashtruar BE-ja janë obligative, por liderët e Kosovës janë të prirë me gënjeshtra dhe fjalime boshe për poenë politike sepse kanë kaluar vite, muaj bile edhe kanë festuar kinse u dhanë vizat, por realiteti është tjetër. Bashkimi Evropian e ka sjellë në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave. E vetmja shpresë në këtë moment për qytetarët e Kosovës, është që të lëvizin lirshëm, sepse Kosova ka filluar të hyjë një kolaps të vështir ekonomik, ku te gjitha institucionet e vendit kanë sinjalizuar greva për gjendjen ku e sollën kjo kast politike për 19 vite”, ka përfunduar Hertica për “Bota sot”.


www.foxshop-ks.com