Loading...

Është e vështirë të mos vësh re diçka amerikane në Sojevë.

VIDEO

Automjetet ushtarake, flamujt e deri edhe te planet e shtëpive flasin për një vend që ka kultivuar shumëçka amerikane në vitet e fundit.

Fshati në afërsi të Ferizajt, nëpër të cilin kalon rruga e emërtuar sipas Beau Biden, birit të ish-zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, po i bën dy dekada bashkëjetesë me superfuqinë e botës.

Qindra automjete ushtarake amerikane kalojnë nëpër këtë fshat në ditë, ndërsa zhurmat e helikopterëve janë bërë rutinë për këta banorë.

Kur në qershor 1999 ushtria amerikane e u vendos në kodër të këtij fshati, shumë nga ta u ndjenë të befasuar.

Por, 20 vjet më vonë, kur në skenën politike kanë dalë versione që amerikanët mund të largohen nga vendi për shkak të një krize raportesh ndërmjet Kosovës dhe Amerikës për banorët sojevas kjo është e papranueshme.

Sylejman Syla përfaqësuesi i fshatit Sojevë ka thënë se nuk beson se trupat amerikane do të largohen.

Por nëse do të ndodhte, kjo, sipas tij, do të ishte shumë e rëndë për shkak se Kosova ende nuk ka kapacitete të veta të mbrojtjes.

“Kjo kishte me qenë një fatalitet për fshatin tonë por edhe për Kosovën, për arsye se tash ne jemi bërë edhe si pjesë e Bondsteel-it. Ndihemi shumë keq nëse largohen”, thotë Syla.

Largimi eventual i trupave amerikane është përmendur për herë të parë javën e kaluar pas një takimi të liderëve politik me disa zyrtarë amerikanë.

Por Sylejman Syla beson se liderët në fund do ta gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

“Ne nuk besojmë se do të largohen për arsye se edhe politika ka me ndërmarrë diçka në favor që këta mos me u largu dhe nëse këta largohen atëherë dihet se ne forca të tjera nuk kemi dhe presim me ardhë prej Serbisë”, thotë ai

Syla ka treguar edhe përfitimet në aspektin ekonomik të banorëve të fshatit për sa kohë që amerikanët ruajnë paqen dhe janë të pozicionuar në kodrën përballë këtij fshati.

“Prej ardhjes së ushtarëve këtu ka filluar edhe punësimi, për shkak se ka pasur nevojë edhe për rregullimin e kësaj pjese, d.m.th të kampit Bondsteel. Janë punësuar rreth 5 mijë deri në 6 mijë punëtorë dhe ia kanë parë hajrin krejt fshatrat e Ferizajt, por edhe e gjithë Koosva sepse ka pasur punëtorë nga e gjithë Kosova”, thotë ai.

Shumë nga banorët e rrethinës së Ferizajt, kanë vazhduar të punojnë me kompanitë amerikane edhe në misionet në Irak e Afganistan.

Fadil Zejna banor i fshatit Sojevë, kujton kohën kur kishte parë ushtarët amerikanë që ishin vendosur në fshat. Ai thotë se këto forcat amerikane janë vendosur shumë pak metra bazës së ushtrisë serbe në kohën e luftës së fundit në Kosovë.

“Ne kur kemi dalë në atë kodrinën atje e kemi parë një kamionetë të kryqit të kuq dhe një xhip, në ato momente jemi përballur me ata, fillimisht kemi menduar që janë serbë, por pastaj e kemi kuptuar që ata ishin amerikanë dhe me vete e kanë pasur edhe një përkthyes maqedon me vete”, thotë Zejna.

Ai flet për një bashkëpunim të mirë të KFOR-it amerikan me komunitetin.

Por largimi i tyre nga Kosova është gjë të cilën Zejna as nuk mund ta imagjinojë.

“Nëse largohet KFOR-i amerikan është një handikep për Kosovën edhe për gjithë shqiptarët”, thotë Fadil Zejna.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Loading...



Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.