Edhe sot me të filluar nga ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës dhe do të kërkohet që të hedhet poshtë propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Protesta e sotme është organizuar nga Partia Socialdemokrate.
Në një konferencë për medie të premten, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se protesta e të shtunës do të jetë paqësore, por tha se do të ketë aksione simbolike para objektit të qeverisë.
Ai bëri thirrje edhe që opozita t’i bashkohet kësaj proteste.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të cilët deklaruan se nuk do të jenë pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, u tha në komunikatën e AAK-së.
Po për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike u protestua edhe më mërkurën e 26 janarit.
“Ngrohja nuk është komoditet”, “Asnjë cent më shumë”, “Lësho rrymën, lësho rrjetin, largoje KEDS-in”, janë shkrimet në pankarta me të cilat para objektit të Qeverisë protestuan rreth dyqind protestuese.
Ata kundërshtuan edhe paralajmërimin e ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.