Ekzistojnë receta dhe mënyra të shumta të vënies turshi të lakrave në voza dhe në bidonë plastike. Të gjithë e kanë mendimin e njëjtë që lakrat radhiten, u qitet kripë dhe ujë.
Në një tenxhere të madhe qesim kripë, i qesim ujë të nxehtë dhe presim që të zbërthehet kripa dhe të gjithë atë e qesim në vozë apo në bidon të madh plastike, duke shtuar edhe ujë të zakonshëm deri në majë, transmeton Telegrafi.
Zakonisht shtojmë dy panxharë të kuq të pastruar të cilët priten në katër pjesë, i mbulojmë me leckë të hollë pambuku dhe i qesim sipër një pjatë të hollë porcelani.
Sipër pjatës më herët kemi vënë gur, ndërkaq tani vëmë një kavanoz të madh të mbyllur dhe të mbushur me ujë, përafërsisht 1,5 litrash.
Nuk e ndërrojmë shëllirën, por në fillim gjithnjë derisa shëllira të fillojë të krijohet, çdo të dytën apo të tretën ditë hapim vozën apo bidonin dhe e heqim gurin apo kavanozin dhe nëpërmjet asaj pjate i shtypim në mënyrë që të shkundim lëngun në vozë.
Kavanozin dhe leckën çdo herë i lajmë, heqim fletët të cilat janë grumbulluar.
Lakrat e vëna në këtë mënyrë turshi qëndrojnë deri në qershor dhe duken sikur një ditë më parë i keni vënë turshi.
Sipas disa recetave, midis radhëve të lakrave shtohet një shtresë turshi e grirë apo lakra të prera në copa të mëdha, ndërkaq amvisat bashkëkohore kanë shpikur mënyrën – qesen plastike të mbushur me shtresa turshi e lidhin në mënyrë që të mos derdhen në lakra dhe i shpojnë në disa vende në mënyrë që lakra të tharbet.
Lakrat turshi, një kilogram kripë për 30 kilogramë lakra
Pos lakrave, nevojiten:
– 1 kilogram kripë në 30 kilogramë lakra,
– leckë e dendur pambuku,
– një gur apo një kavanoz prej 1,5 litrash.
Përgatitja e lakrave për turshi:
Lakrën pastrojeni nga shtresat e jashtme të fletave dhe lani, pritni në mes në formë kryqi dhe radhisni në vozë.
Disa lakra pritni në katër pjesë dhe në dy pjesë dhe ato fusni midis lakrave të plota në mënyrë që të plotësojnë zbrazëtirat, përkatësisht të qëndrojnë më mirë.
Qitni ujë dy gisht mbi lakra.
Qitni sipër lakrave shtypësin e drunjtë apo të plastikës.
Sipër shtypësit qitni gur apo një kavanoz të mbushur me ujë.
Hapeni leckën dhe në të qitni sasinë e nevojshme të kripës, mbështilleni dhe lëreni afër gurit apo kavanozit.
Kripa ngadalë do të shkrihet dhe do të bjerë në fund, kështu që nuk do të keni nevojë të ndërroni shëllirën.
Mbylleni vozën dhe herë pas here kontrolloni sasinë e ujit disa herë në ditë.
Plotësoni me ujë sipas nevojës, në mënyrë që lakrat të jenë të zhytura në ujë. Me atë rast shpëlajeni gurin, ndërkaq, nëse përdorni kavanoz – patjetër lajeni nga ana e jashtme.