U paraqit si menaxher i KEK-ut dhe ia mori 10 mijë euro kinse për punësim, Gjykata në Ferizaj merr vendim për të dyshuarin
Redaksia
Ferizaj24
15 Shtator 20212 min lexim87 vizita
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Xh.P. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri nga data 13.11.2020 deri më 12.02.2021 në vende të ndryshme duke vepruar në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të dyshuarin D.R. i cili gjendet në arrati, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me veprime mashtruese duke u paraqitur si persona me ndikim dhe si truproje të ministrit si dhe si menaxher të KEK, i premtojnë të dëmtuarit L.G. se do ta punësojnë atë dhe djalin e tij në KEK apo në PTK dhe në këtë mënyrë e vënë në lajthim të dëmtuarin duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i njëjti ua paguan shumën e tërësishme prej 10,000 euro në emër të punësimit në KEK..
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.