“Kanalizim të hapur” po e quajnë lumin Nerodime, shoqatat për mbrojtjen e mjedisit dhe ato të peshkatarëve. Përveç kundërmimit në ujërat e këtij lumi, ditëve të fundit kanë ngordhur shumë peshq. Kjo dukuri po ndodh çdo vit dhe jo vetëm në këtë lum, por edhe në atë të Lepencit, tregojnë nga shoqata e peshkatarëve në Kaçanik. Ndërsa, nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, në këtë komunë, kanë thënë se i tërë kanalizimi i qytetit të Kaçanikut, si dhe i komunës së Ferizajt derdhet në këtë lum. Ata kërkojnë që kjo ndotje të ndalet.

Zyrtarë nga komuna thanë se janë të vetëdijshëm për ndotjet e mëdha në këta dy lumenj, por, sipas tyre, kanë kërkuar zgjidhje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi e vetme nuk mund të bëjë ndonjë gjë. Nënkryetari i kësaj komune, Ylber Bajra, tha se ndotja e fundit në lumin Nerodime është bërë pikërisht nga ujërat e zeza të Ferizajt. Nga Komuna e Ferizajt nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë se ky problem është i vjetër dhe i trashëguar. Ata presin që problemi të zgjidhet në kuadër të ndërtimit impiantit të ujërave të zeza, projekt i financuar nga Qeveria hungareze dhe ajo e Kosovës.