Gara do të fillojë në orën 12:00
Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon në këtë fundjavë me garën që do të mbahet në shtegun e Brezovicës, e treta e disiplinës malore për këtë vit.
Pas një pune të Federatës së Auto Sportit të Kosovës, Auto Klubit Ferizaj dhe institucioneve tjera relevante, janë sanuar edhe gropat përgjatë shtegut dhe gjithçka është gati për këtë garë, e cila tradicionalisht ka qenë shumë atraktive si për garuesit, ashtu edhe për dashamirët e auto sportit.
Sipas njoftimit të federatës, dje është bërë paraqitja e pjesëmarrësve në garë, për të vazhduar me verifikimin e dokumentacionit e kontrollimin teknik dhe vozitjën testuese.
“Të dielën, pas procedurave të duhura, gara do të fillojë në orën 12:00, dhe duke marrë parasysh se shtegu është i gjatë 7.7 kilometra, gara do ta ketë vetëm një vozitje. FASK i ka angazhuar 33 zyrtarë të saj, të cilët së bashku me Policinë e Kosovës, Ndihmën e Shpejtë, Brigadën e Zjarrfikësve dhe AK Ferizajn, të cilët do të bëjnë gjithçka që është e mundur në mënyrë që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme”, thuhet në njoftim.