Një person ka vdekur si pasojë e flakëve që kapluan automjetin e tij në një pompë derivatesh në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, përkatësisht në fshatin Babush. Lajmin e ka bërë të ditur Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt. Ai ka thënë se personi që ishte në automjet ka humbur jetën ndërsa personi tjetër ka marrë lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe zjarrëfikësit, të cilët kanë shuar zjarrin. “Rreth orës 17:40 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj -Prishtinë, në hapësirën e një pike karburanti në fshatin Babush, një automjet i udhëtarëve me targa vendore është përfshirë nga flaka. Për pasoje një person ka humbur jetën që ishte në automjet. Ndërsa një person tjetër që ishte në marketin e kësaj pike karburanti ka marr lëndime trupore dhe është dërguar në Prishtinë për trajtim mjekësorë”, ka deklaruar Veseli. Tutje ka theksuar se në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësitet kompetente. Po ashtu tha se Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt i ka nisur hetimet. Deri në kohën e publikimit të lajmit, nuk dihen shkaqet që kanë çuar deri te incidenti me fatalitet.