Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka folur për zjarrin e mbrëmshëm që kaploi objektin e supermarketit “Viva Fresh Store”.
Përmes një shkrimi në Facebook, Aliu tha se është tronditur nga incidenti.
Ai theksoi sot se ka dalë në terren me zyrtarë kompetent për të parë për së afërmi gjendjen e objektit.
“Të gjithë u zgjuam sot, me tronditjen që shkaktoi fatkeqësia e zjarrit, me dëme shkatërrimtare në “Viva Fresh Store” në Ferizaj”.
“Sot, në mëngjes dolëm bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, Basri Shabani, Luan Salihun nga Brigada e Zjarrfikësve në Ferizaj, për të parë nga afër dëmet dhe përgëzuar ekipet e zjarrfikjes që bën maksimumin për të minimizuar dëmet materiale”.
“Fatmirësisht, nuk ka asnjë dëm në njerëz, gjersa për dëmet materiale dhe shkaktimin e zjarrit, fjalën e kanë organet përgjegjëse shtetërore”, shkroi Aliu.
Komandanti i zjarrfikësve në Ferizaj, Zymri Krasniqi ka thënë se ka pasur zjarrfikës që kanë shkuar nga shtëpia për t’iu ndihmuar.
Tutje theksoi se përpos atyre nga Ferizaj janë mobilizuar edhe kolegë nga qytetet e tjera.
“…Ka qenë gjendja e jashtëzakonshme. Ka pasur zjarrfikës që kanë ardhur nga shtëpia për të na ndihmuar. Përpos zjarrfikësve nga Ferizaj janë mobilizuar edhe zjarrfikësit nga regjioni Shtime, Kaçaniku, Gjilani dhe Vitia. Deri më tani sa kemi informacion nuk ka persona të lënduar të cilët kanë mundur të ngecin brenda”.
“Në perimetër prej 20 metrash ka qenë edhe pompa e derivateve, pra ke qenë gjendja e jashtëzakonshme. Si po e shihni ne e kemi nën kontroll zjarrin”, është shprehur ai.