policia 21 560x416 - Aksidentet në rritje, policia me task-forcë speciale gjatë verës

Drejtori i Policisë në rajonin e Ferizajt, Basri Shabani thotë se lirimi i masave nga pandemia ka ndikuar në rritjen e  numrit të aksidenteve krahasuar me vitin e kaluar, kur pat kufizime të lëvizjes.

“Nëse i referohemi statistikave të aksidenteve në komunikacionin rrugor, këtë vit kemi një ngritje të aksidenteve në përgjithësi. Përfshirë ato me dëme materiale, lëndime trupore por edhe me fatalitet. Për pesëmujorin e parë vitin e kaluar kemi pasur dy raste me fatalitet kurse sivjet kanë qenë pesë aksidente fatale”.

E sivjet përveç rritjes së numrit të aksidenteve, në Ferizaj janë shtuar edhe rastet e gjobitjeve për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.

“Numri i tiketave për këtë pesë mujor arrin diku 15 mijë, që është një shifër bajagi e madhe…  Jo në çdo rast, masat represive tregohen të suksesshme, prandaj edhe jemi të fokusuar në vetëdijësimin e ngasësve të automjeteve, në mënyrë që të kenë kujdes dhe t’i kuptojnë pasojat që vijnë nga aksidentet e trafikut.”

Stina e verës është ajo që zakonisht karakterizohet me numër të lartë të aksidenteve, kjo sepse rritet numri i veturave me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë.

“Kemi krijuar një taskforcë, ta quajmë, të komunikacionit rrugor ku kemi përfishrë edhe zyrtarët policorë me bicikleta dhe skuterët, e njesitë tjera që do të operojnë kryesisht në qytet, për të mundësuar qarkullimin e lirë, sepse jemi të vetëdijshëm që do të kemi një frekuentim më të madh me ardhjen e bashkëatëdhetarëve në vendlindje për pushime verore”.

Në periudhën janar-maj 2021 në tërë Kosovën u regjistruan 37 aksidente trafiku me fatalitet ku 42 persona kanë humbur jetën./tvtema/


www.foxshop-ks.com