Në vazhdën e investimeve nga qeverisja lokale e Ferizajt në infrastrukturën rrugore u bë asfaltimi i tetë rrugëve në fshatin Kosinë të Ferizajt. Për të parë nga afër punimet, doli Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu së bashku me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Ai tha se edhe në këtë zonë po investohet me projekte të rëndësishme infrastrukturore për t’i ofruar përfundimisht banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth infrastrukturën e munguar ndër vite.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi tha se banorët e këtij fshati e kanë vuajtur gjatë mungesën e investimeve infrastrukturore. “Jemi këtu në fshatin Kosinë ku po fillojmë asfaltimin e rrugëve të këtij fshati.
Vuajtjet e banorëve të fshatit Kosinë, të kalimit nëpër gropa do të përfundojnë përmes këtij projekti, gjegjësisht projektit të asfaltimit të rrugicave të këtij fshati. Bëhet fjalë për një projekt me vlerë 157 mijë euro, ku do të bëhet asfaltimi i gjithsej 8 rrugicave të këtij fshati. Gjatësia e këtij projekti është rreth 3 kilometra asfalt.
Problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen banorët e fshatit Kosinë është problemi i kanalizimit, gjithsesi ne në buxhetin e vitit të ardhshëm e kemi futur edhe kolektorin veri-perëndimor i cili do të zgjidh problemin me kanalizim jo vetëm për fshatin Kosinë, por për tërë regjionin, duke përfshirë fshatrat përreth Llojza, Lloshkobare, Slivovë, Koshare” tha drejtori Bytyqi. Ky projekt përfshin asfaltimin e 8 rrugicave në fshatin Kosinë dhe ka një kosto prej 157 mijë euro.