Zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen me 14 shkurt të këtij viti, po përcillen me tubime paraelektorale në komunat e rajonit të Ferizajt. Kjo çështje po e sfidon edhe inspektoratin sanitar, derisa subjektet politike po mbajnë tubime me numër të mëdha të aktivistëve duke i shkelur rregullat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit për ta luftuar pandeminë Covid-19.
Ndonëse ende nuk ka nisur fushata zgjedhore, kandidatët për deputetë nga subjektet e ndryshme në Ferizaj, po fotografohen dhe po bëjnë video me numër të madh të qytetarëve nëpër oda dhe restorante të ndryshme duke mos respektuar masat.
Këto veprime i ka dënuar organizata për monitorimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”.
Afrim Demiri, koordinator në këtë OJQ për regjionin e Ferizajt, ka thënë për KOHËN se subjektet politike po e shkelin ligjin me tubime parazgjedhore, njëkohësisht po shkelin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe ligjet kundër sëmundjeve ngjitëse.
“Për “Demokracinë në Veprim”, është e papranueshme dhe e dënueshme parafushata e subjekteve garuese ende pa filluar ajo zyrtarisht dhe aq me parë duke mos respektuar ligjin dhe masat anti-covid. Po ashtu është nën çdo nivel të kulturës politike që subjektet politike, që synojnë pushtetin, të fillojnë këtë garë duke e shkelur ligjin”, ka thënë Demiri. Sipas tij organizata “Demokracia në Veprim” nuk e monitorin nga afër fazën e parafushatës, por ngritë zërin kundër këtyre shkeljeve dhe kërkon të dënohet një sjellje në bazë të masave anti-Covid. “Gjatë fushatës edhe pse me numër të zvogëluar të vëzhguesve, “Demokracia në Veprim”, do ta përcjellë çdo sjellje të subjekteve garuese dhe do te raportojmë për to duke i argumentuar. Për ditën e zgjedhjeve për rajonin e Ferizajt, (Ferizaj, Shtime, Kaçanik, Hani i Elezit) do t’i kemi 57 vëzhgues të cilët do të raportojnë në së paku gjashtë intervale kohore për rrjedhën e procesit të votimit, që nga hapja e deri tek mbyllja e vendvotimeve”, ka shtuar Demiri.
Ndërkaq, Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, ka thënë për KOHËN se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është autoriteti ekzekutiv ligj-zbatues, si mbikëqyrës i zbatimit të masave anti-COVID.
“Sikurse në të gjithë Kosovën edhe në regjionin e Ferizajt jemi duke vepruar përmes Zyrës Regjionale në Ferizaj që mbulon edhe komunat e këtij regjioni. Ne si autoritet veprojmë bazuar në kompetencën ligjore qe kemi, ashtu sikurse është e përcaktuar me ligjet në fuqi dhe vendimet e Qeverisë, veprojmë pa përjashtim”, ka thënë Thaçi. Sipas tij, kudo që hasin në shkelje të vendimeve, inspektorët veprojnë pa përjashtim.
“Ashtu siç e kemi të paraparë me ligje në koordinim me policinë shqiptojmë masa ndëshkimore, për të gjithë personat fizikë dhe juridik që shkelin rregullat. Koordinatori i ZR të AUV-së Ferizaj bashkë me inspektorët janë në detyrë dhe në fokus kontrolli, është mbikëqyrja e subjekteve juridike të cilat lejojnë organizimin e takimeve me mbi 30 persona në ambiente të mbyllura dhe që nuk respektohet distanca fizike. Inspektori gjithmonë vepron në rast, kur gjatë inspektimit hasë në shkelje të tilla”, ka thënë më tej Thaçi. Ai ka shtuar se nga Ministria e Shëndetësisë janë të angazhuar rreth 90 inspektorë sanitarë vetëm për mbikëqyrje të masave anti COVID19. Prej tyre 10 inspektor sanitare janë duke vepruar vetëm në regjionin e Ferizajt. “Puna e tyre është e organizuar në dy ndërrime, planet operative për kontrolle hartohen dhe mbikëqyren nga Koordinatori. Puna e tyre e vetme është mbikëqyrja e zbatimit apo respektimin e masave për mbrojtje nga COVID, konform Manualit për mbrojtje nga COVID 10 sipas Vendimeve të Kryeministrit. Masat ndëshkimore shqiptohen ndaj secilit shkelës kudo që hasen ato në teren”, ka bërë me dije Thaçi.