Numri i të lënduarve nga shpërthimi që ndodhi sot në qytetin e Ferizajt ka shkuar në 42.
14 nga të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendren Klinike dhe Universitare të Kosovës, për trajtim të mëtutjeshëm.
Ndërkaq shtatë prej tyre raportohet se janë në gjendje më të rëndë.
Lidhur me dyshimet e para për rastin ka folur drejtori rajonal i Policisë në Ferizaj Emin Beqiri.
Beqiri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova tha se dyshimet e para kanë ardhur si pasojë e shpërthimit të një bombole të gazit.
“Shpërthimi ka ardhur si pasojë e një shpërthimi të një bombole të gazit. Fatmirësisht lokacioni i jonë si polici është shumë afër. Reagimi i jonë edhe i zjarrfikësve por edhe i emergjencës ka qenë shumë i shpejtë.Kemi bërë çmos që të menaxhojmë situatën me të lënduar ti dërgojmë në spital, në shtëpinë e shëndetit e pastaj edhe në Prishtinë”.
Ndërkaq dëshmitari Xhemajl Idrizi, ka treguar për Klan Kosovën momentet e para të ngjarjes pas shpërthimit.
Idrizi tha se ka qenë një shpërthim tejet i madh.
Ai tregoi se kishte hasur në dy vajza të reja dhe një grua që ishin të shokuar, njofton Klan Kosova.
“Ishim afër diku 10-15 metra. E dëgjuam një shpërthim shumë të madh. Në atë moment elementet e shitoreve u rrëzuan. Pamë afër një shitore dy vajza të reja dhe një grua. Ishin shumë të shokuar. Bërtisnin nga frika. Njëra ishte e lënduar. Unë isha me mbesat e mia. U afruam në ndihmë dhe i nxorëm nga lokali sipas mundësisë. Njërën e kemi dërguar në spital, ndërkaq tjetrës i kemi dhënë ndihmë pesë deri në 10 minuta sepse ishte e shokuar, derisa u afrua një person dhe e dërgoi me makinë në Spitalin e Ferizajt”.