Dhjetëra qytetarë kanë kërkuar ndihmë në klinikën e Dermatologjisë nga sëmundja e zgjebës, apo siç njihet dryshe popull ‘zhuga’.
Madje, sipas drejtoreshës së kësaj klinike, Fatime Kokollari numri i pacientëve me zgjebë është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar.
“Pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, e që janë diagnostikuar me zgjebë, në pesë mujorin e parë është 329. Vërehet një rritje në krahasim me vitin e kaluar”, ka thënë Fatime Kokollari për RTV Dukagjinin.
Ndërkaq, në Klinikën Infektive thonë se kanë filluar që të paraqiten edhe rastet me variqellë apo ‘lijë të ujit’, por që krahasuar me vitin e kaluar ka një numër më të vogël.
“Nga janari na janë paraqitur 21 raste me variqellë apo ‘lijë të ujit’, për fat mirë nuk janë shënuar raste me fatalitet”, ka deklaruar Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se është shumë e nevojshme që marrja e vaksinave kundër lisë së ujit të bëhet e obligueshme, ashtu siç është edhe ajo për fruth.
“Ne mendojmë që do të ulemi shumë shpejt grupi i ekspertëve shëndetësor, dhe të rekomandojmë që këtë vaksinë ta vendosim si të obligueshme në kalendarin e vaksinave”, është shprehur më tej Ramadani.
Megjithatë, sipas eksperteve shëndetësorë, situata epidemiologjike është nën kontroll dhe nuk paraqitet rreziku i përhapjes së ndonjë epidemie.