Nga mesi i shtatorit, do të fillojnë punimet në fshatin Gërlicë për kyçjen e Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferri”.
Ka tre vjet që qytetarët e kësaj komune kanë kërkuar një gjë të tillë, por pos premtimeve, deri më tash nuk ka pasur asgjë konkrete, raporton KTV.
Ndonëse i vonuar, ky vendim konsiderohet i domosdoshëm, sidomos për bizneset e kësaj komune.
Realizimi i këtij projekti nuk do t’i shërbejë vetëm Vitisë por gjithë rajonit të Anamoravës, thotë kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.
E shoqëria civile kishte organizuar protestë në rast se nuk do të merreshin parasysh kërkesat e tyre.
Ndërsa Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka ndonjë parallogari të saktë se sa do të kushtojë por sipas bizneseve të kësaj komune, llogaritet që lidhja rrugore të kushtojë deri në 500 mijë euro.
Zejna, nga kabineti i ministrit Lekaj, ka thënë se ende s’ka asnjë paramasë e as llogari të saktë. Sipas tij, duhet të shikohet edhe modeli i kësaj kyçjeje.