Kosova mund të rrezikohet nga një arbitrazh i ri, pasi ky aks rrugor ka filluar pa menduar mirë dhe ndoshta pa pasur shumë nevojë, sidomos tutje nga Ferizaj. Ky projekt është filluar keq dhe pa përgatitje të duhura që nga fillimi. Kështu vlerëson ish deputeti i LDK-së dhe eksperti i ekonomisë, profesor Muhamet Mustafa.
Sipas tij, çështja me 53 milionët e “Bektel Enekas”, do të mund të shërbente për një rast studimi se nuk duhet të qeveriset më.
Ai ka thënë se defektet fillojnë nga aty dhe nga fakti se konstruksioni financiar nuk ka qenë i mbyllur.
“Kjo që po shohim tash më saktësisht një paraqitje televizive të ministrit paraprak dhe ministrit të tanishëm ishte vërtetë e çuditshme. Atëherë lind pyetja se si është mundur që dy njerëz që kanë përgjegjësi para opinionit të japin deklarata aq kontradiktorë për të njëjtën çështje ? Merre me mend dy ministra? Nëse ekziston kontrata , nëse ekzistojnë punët e kryera të verifikuara dhe nëse ekzistojnë pagesat e bëra çështja është shumë e thjeshtë. Nëse edhe ka qenë një llogari për kostot indirekte të kryerësve të punës për shkak të zgjatjes së afatit 14. 3 milion , e verifikuar edhe nga mbikëqyrësi , besoj se qeverisja e tashme është dashur të vazhdojë këtu dhe jo të hap negociata të reja që e sollën te 53 milionëshi “, ka thënë profesor Mustafa.
Sipas tij, është e çuditshme se si ekipa e kaluar dhe e tashmja në këtë ministri nuk janë ulur bashkë ta shtrojnë këtë çështje, ta diskutojnë hollësisht dhe mos të lënë hapësirë për të ardhur puna deri këtu.
“Sa i përket arbitrazhit , nuk mund të them asgjë pasi që nuk e kam lexuar kontratën dhe marrëveshjet, por duket se arbitrazhet po përdoren edhe për frikësim. Duhet patjetër të nxirret mësim nga gjithë këto probleme që po e përcjellin funksionim e institucioneve tona”, ka thënë Mustafa.