Banorët e fshatrave Rakaj, Dardani dhe Zllatar të komunës së Ferizajt po kërkojnë nga KEDS-i vendosjen e trafove të reja për rritjen e cilësisë së energjisë elektrike.
Në këto fshatra shpeshherë po ndodhin defekte shkaku i vjetërsisë. Para pak minutash në Dardani, pikërisht në rrugën “Shaban Topalli” ka marrë zjarr një nga linjat e rrymës derisa e gjithë lagjja ka mbetur pa rrymë.
Sipas banorëve, zyrtarët e KEDS-i në Ferizaj shpeshherë dalin në terren për ta parë gjendjen me energji elektrike, mirëpo investimet nuk po ndodhin nga niveli qendror i KEDS-it në Prishtinë. Xhevat Sallahu përfaqësues i fshatit Zllatar, ka thënë se KEDS-i në Prishtinë duhet t’i shqyrtoi kërkesat e banorëve. “Kemi telashe me rrymë si zakonisht, mirëpo gjatë sezonit të dimrit problemet janë më të mëdha shkaku i ngarkesës. Aktualisht në Dardani është këputur një kabllo dhe ka marrë zjarr shkaku i mbingarkesës. Kemi kërkuar disa herë investime nga KEDS-i në Prishtinë për vendosjen e një trafo, por ata nuk po i shqyrtojnë kërkesat tona. Zyrtarët e KEDS-it në Ferizaj për çdo ditë po dalin në terren për ta parë gjendjen por mundësitë e tyre për investime janë të vogla”, ka thënë sallahu.
Ndërkaq, Valon Imeri, banor nga fshati Rakaj, ka thënë se KEDS-i në Prishtinë duhet t’i aprovoi kërkesat e tyre për vendosjen e një trafo të re pasi që gjatë sezonit dimëror është rritur nevoja për shpenzime të rrymës.
“Kemi bërë kërkesa disa herë, mirëpo prapë se prapë kemi telashe me energji të dobët. Kjo shkaku i mungesës së një trafo më të madhe e cila mund t’i përballoi nevojat e qytetarëve”, ka thënë midis të tjerash Imeri.
Koha gjatë së dielës ka provuar të marrë një deklaratë nga zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, por ai nuk ka qenë i qasshëm.