Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë komunal ka marrë pjesë në konferencën nismës të programit ROMACTED për promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të komuniteteve rome në nivel lokal, program ky i përbashkët në mes Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Në adresimin e tij në këtë konferencë, duke theksuar rëndësinë që ka progresi i agjendës së qeverisë lokale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, rrjedhimisht të pjesëtarëve të komuniteteve rom dhe ashkanli, Aliu tha se Ferizaj është ndër qendrat kryesore në Kosovë, në respektimin dhe promovimin e diversitetit kulturor, etnik e fetar.
“Ferizaj, qyteti që unë drejtoj, është ndër qendrat kryesore në Republikën tonë, në respektimin dhe promovimin e diversitetit kulturor, etnik e fetar. Bashkëqytetarët e mi ndajnë të njëjtin fat barabarësisht me të gjitha komunitetet përbërëse të shoqërisë sonë. Në planin e qeverisjes lokale, gjegjësisht politikave lokale, më lejoni të nderuar të theksoj se gjithë mekanizmi komunal, organet e saja vartëse dhe sektorët ekzekutiv kanë në agjendën e tyre të punës, avancimin e të drejtave komunitare me theks të veçantë rome e ashkanli, si pjesë e pashmangshme e vendimmarrjes lokale. Pa modesti, mund ta them se Ferizaj është kampion në përfshirjen e komuniteteve pakicë në planet e politikat, vendimmarrjen e konsultën në nivel të qeverisjes lokale. Edhe ky program sot, programi ROMACTED, në këtë kuadër do të forcoj vendosmërinë tonë për të krijuar politika të qëndrueshme e afatgjatë që kanë për qëllim promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të komunitetit rom në nivel lokal. Unë si Kryetar Komune, jam i lumtur që përfaqësoj këtu, qytetin që nuk njeh dallime kulturore e etnike, përfaqësoj gjithë qytetarët barabarësisht. Ferizaj është qytet miqësor dhe pranues, divers e optimist në rrugën e promovimit të të drejtave qytetare si parim i qeverisjes sime, rrjedhimisht edhe ofrimin e mundësive të barabarta edhe për komunitetete joshumicë që pasurojnë vlerat e shoqërisë sonë” theksoi kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Kryetari i Komunës, falënderoi drejtuesit e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë për përzgjedhjen e komunës sonë për këtë marrëveshje bashkëpunimi, veçanërisht Natalija Apostolova dhe Gallucci për angazhimin drejt progresit të agjendës së të drejtave komunitare në përgjithësi, e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në veçanti.
Sipas një komuikate të komunës, në këtë konferencë, organizatore e së cilës ishte Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, prezent ishin kryetarë të komunave tjera, përfaqësues të nivelit qendror dhe lokal si dhe zyrtarë tjerë të akredituar në këtë ngjarje.
Mbyllja e konferencës u bë me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit mes komunave të përzgjedhura, pjesë e së cilës është edhe Komuna e Ferizajt, si dhe drejtuesve të Zyrës së Këshillit të Europës në Prishtinë./botasot/