Policia e Kosovës e ka gjobitur një pjesëtar të saj për tejkalim me veturë zyrtare në vijë të plotë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj kishte pranuar një informacion nga një qytetar përmes aplikacionit ‘’Lajmëro Policinë’’ për një kundërvajtje në komunikacion të shkaktuar nga policia.
Sipas njoftimit, Policia i ka marrë veprimet e duhura dhe ka arritur të identifikojë zyrtarin policor, i cili me automjetin zyrtar të Policisë shkaktoi kundërvajtje në komunikacion, në fshatin Sojevë, rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan.
“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, e ftoi zyrtarin policor (M/SH/K) 61 vjeçar, dhe ai në tërësi e pranoi kundërvajtjen e shkaktuar dhe mori gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, ndaj tij, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka iniciuar edhe hetim të brendshëm diciplinor sipas rregulloreve të Policisë.