gjoni 870x5221 560x416 - ’’Gjon Serreçi’’ kërkon përmirësim të infrastrukturës shkollore

Përvjetori i ditës së shkollës bëri bashkë nxënës e mësimdhënës të cilët ishin dhe janë pjesë e shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj. Ndër mësimdhënësit e shumtë që pati kjo shkollë, është edhe ish-mësuesja Hatixhe Sahiti, e cila për 44 vjet punoi në këtë shkollë, ku përcolli 11 gjenerata. Sahiti thotë se përgjatë gjithë këtyre viteve sa punoi në arsim, është munduar që tek fëmijët të kultivoj edukimin dhe atdhedashurinë.

“Që 5 vite jam pensionu, kujtimet janë të freskëta çdoherë për këtë shkollë dhe të pashlyeshme se 44 vite radhazi kam punu në këtë shkollë pa ndërpre fare dhe kënaqësi të madhe kam përjetu, sidomos fëmijët të japin atë vullnet, atë kënaqësi dhe të rinojnë çdoherë, edhe pse jam pension nuk jam ndi e lodhur asnjëherë, por gjithmonë kam pas një dashuri të madhe për ta, fëmijët janë një kënaqësi shpirtërore që ta mbajnë forcën e shpirtit, mjafton t’i duash e t’i respektosh, unë kam ndi obligim që në këndin tim të profesionit t’i qëndroj besnike edhe atdheut edhe fëmijëve edhe gjeneratave edhe prindërve që m’i kanë besuar fëmijët që mos të dalin të zhgënjyer nga unë”,tha Sahiti.
E, ish-arsimtari i lëndës së kimisë Latif Osmani, i cili tani është 76 vjeçar, nuk shprehet i kënaqur me respektin që tani iu bëhet mësimdhënësve.

“Këtu kam punu prej vitit 1972-2009, ka qenë shkollë e madhe me emër, gjeneratat të cilat kanë dalë nga “Gjon Serreçi” kanë qenë të njohura jo vetëm për Ferizajn, por për tërë Kosovën, kur kanë shku dhe janë pyetur se ku kanë kryer në bazë të njohurive që kanë pas, ata pak a shumë e kanë ditur se janë nxënës të shkollës ‘’Gjon Serreçi”, tani nuk jam i lidhur me procesin mësimor, por në saje që vërehet dhe dëgjoj nga kolegët nuk është në rregull, përpara mësuesi është çmuar nga nxënësi e institucioni, sot mësuesi është lënë pas dore dhe nuk respektohet nga nxënësit hiç se hiç, por as nga prindërit, e as edhe nga shteti”, tha Osmani.

Ndërsa, mësimdhënësi Driton Halimi, konsideron se çdo vit e më shumë nxënësit po janë të painteresuar për mësim. Ai fajëson edhe organet komunale për mosinvestim infrastrukturor në këtë shkollë.
“Punoj nga viti 2002, në vitet e para kur kam fillu ka qenë një organizim shumë më i mirë, ndoshta gjeneratat e mëhershme kanë pasur një kriter më të ashpër, tani ndoshta metodat, pasi në përgjithësi ka rënie jo vetëm në shkollën tonë, por në të gjitha shkollat tjera, vazhdimisht çdo gjeneratë ka një mungesë apo vullnet për me lexu dhe nëse i krahasojmë rezultatet që kemi pas është mëkat që në këtë shkollë nuk është bërë investim për shumë kohë, madje është bërë edhe një sabotim nga pushtetet dhe mendoj se është bërë një e padrejtë e madhe ndaj këtyre nxënësve e personelit që kanë qenë të shkëlqyeshëm”, theksoi Halimi.

Dy mësimdhënësit e pensionuar, Sahiti e Osmani, patën porosi për mësuesit e rinj.

“Për mësimdhënësit e rinj kisha me thënë që çdoherë ta kenë parasysh edukimin në radhë të parë, por edhe të zhvillojnë ndjenjën e patriotizmit, të atdhedashurisë dhe socializmit të fëmijëve mes tyre, sepse pa këto tri aspekte suksesi është shumë i mangët”, u shpreh Sahiti.
“Aty ku nuk ka disiplinë nxënësit janë pa kujdes, nuk i përfillnin mësuesit, atëherë aty nuk besoj se ka mësim, me i krahasua nxënësit që përfundojnë tani shkollimin me kohën atëherë është dallim i madh dhe kjo sepse disa masa që janë ndërmarrë ndaj tyre pak a shumë ato nuk ekzistojnë më, prandaj ka ardhur deri tek kjo gjendje’’, tha Osmani.

Shkolla fillore ‘’Gjon Serreçi” në Ferizaj, ka 2 mijë e 500 nxënës dhe 150 mësimdhënës.


www.foxshop-ks.com