Franca është Kampion i Botës për herë të dytë në histori. Trekolorët mposhtën në finale Kroacinë në një nga ndeshjet finale më të bukura që njeh historia e Kampionatit Botëror. Ndeshja është dominuar nga ballkanasit, mirëpo francezët ishin më konkret në rastet e tyre duke shfrytëzuar çdo mundësi. Golin e parë në këtë ndeshje e shënoi Mario Mandzukic në portën e tij, duke i dhënë Francës epërsinë në minutën e 18-të. Rezultatin e barazoi, Ivan Perisic me një gol shumë të bukur që nuk mund ta ndalte portieri Loris. Në minutën e 38-të, Perisic shkaktoi penallti që në gol e shndërroi Griezmann, shkruan indeksonline. Në pjesën e dytë francezët u treguan shumë të rrezikshëm, duke shënuar dy gola nga distanca. Paul Pogba shënoi golin e tretë në minutën e 59-të, ndërsa Mbappe shënoi golin e katërt në minutën e 65-të. Kroacia u rikthye në lojë në minutën e 69-të, ku një gabim të Loris e shfrytëzoi shumë mirë Mario Mandzukic. Ky është trofeu i dytë në histori të Francës, pas atij të vitit 1998 ndërsa suksesi më i madh i Kroacisë që nga krijimi i Kombëtares së tyre.