Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me organizata të ndryshme të cilat avokojnë dhe punojnë për të drejtat e fëmijëve ka treguar një kujdes të veçantë muajve të fundit në hartimin e legjislacionit që mbron këto të drejta.
Organizata e fëmijëve pa përkujdesje prindërore OFAP ka organizuar një konferencë përmbyllëse sot për të falënderuar komunën dhe të gjithë akterët e tjerë që kanë kontribuar në hartimin e rregullores për të drejtat e fëmijëve e cila është bërë fuqiplotë para dy muajve nga Kuvendi Komunal i Ferizajt.
Nënkryetari i komunës së Ferizajt Naim Ferati ka thënë me këtë rast se investimi për një fëmijëri të mbarë është i domosdoshëm ngase është një garancë për të ardhmen e ndritur të tyre. “Vërtetë jam i gëzuar që kemi ardhur në këtë takim me një rezultat konkret si fryt i bashkëpunimit tonë në të mirë të fëmijëve.
Puna jonë e sotme është një hap i mirë drejt një të ardhmeje më të ndritur për fëmijët tanë dhe legjislacioni që kemi hartuar.
Nuk do të mungojë angazhimi ynë që edhe në të ardhmen të kemi rezultate të tilla dhe punë në dobi të fëmijëve dhe të gjithë atyre që janë lidhur ngushtë me kujdesin dhe mirëqenien që duhet ofruar fëmijëve” ka thënë nënkryetari Ferati.
Ndërkaq një falënderim për kujdesin e treguar me rastin e miratimit të këtij dokumenti të rëndësishëm e ka shfaqur edhe drejtoresha e Organizatës “Fëmijët pa përkujdesje prindërore” Ibadete Krasniqi.
Ajo ka thënë se rritja e kontributit të shoqërisë për këtë kategori do të jetë edhe përmirësimi i jetës së fëmijëve pa përkujdesje.
Kohë më parë është bërë e ditur nga Qendra për Punë Sociale e Ferizajt se numri i fëmijëve pa përkujdesje prindërore të cilët janë të strehuar në familjet biologjike dhe jo biologjikë është rreth 40, kurse rritja e shumës financiare në baza mujore për këto kategori muajve të fundit është thënë se do të rris edhe konkurrencën që familjet më të mira të përfitojnë edhe të drejtën për t’u kujdesur për këta fëmijë.