paraburgimi 780x439 730x440 560x416 - Kosovari në Zvicër dënohet me 6 vjet burg për tentimvrasje të kushëririt

Gjykata e Qarkut në Baden (Aargau) ka dënuar sot me 6 vjet heqje lirie kosovarin 46 vjeçar për veprën penale tentim vrasjeje. Ai në mars të vitit 2016, pasi kishte dalë nga vetura, në zonën industriale të qytetit Spreitenbach, kishte shtënë tri herë me armë zjarri mbi një kosovar tjetër derisa ky i fundit ka ikur me veturë nga vendi i ngjarjes, shkruan aargauerzeitung.ch.
Prokuroria ka kërkuar 9 vjet e gjysmë burg për të akuzuarin. Trupi gjykues ndërkaq ka vendosur për një dënim më të butë, prej gjashtë vitesh burg për tentim vrasjeje me paramendim.

Por, më shumë se vetë shqiptimi i dënimit, ajo që ka bërë përshtypje në këtë proces, ka qenë eksesi i shkaktuar nga ai që para tri vitesh kishte qenë viktima, transmeton albinfo.ch.

Kosovari 40 vjeçar ka fyer dhe sharë në mënyrë të vazhdueshme avokatin e dorasit. Bëhet fjalë për avokatin e njohur Urs Oswald, i cili aktin e klientit të tij e shihte vetëm si rrezikim jete dhe jo si tentim për vrasje. Për një delikt të tillë, ai ka propozuar një dënim prej 20 muajsh heqje lirie.

Për shkak të reagimit të papërshtatshëm të viktimës, atij fillimisht i është tërhequr vërejtja por pasi që ai nuk ka pushuar së fyeri, është nxjerrë jashtë gjykatores dhe është kthyer në burg.

Kosovari 40 vjeçar kishte ardhur në sallën e gjykimit, i lidhur me pranga, pasi që po mbahej në burg për shkak të një delikti tjetër, të kryer ndërkohë.

Gjatë vazhdimit të sërishëm të procesit, në pasditen e sotme, avokati i viktimës ka kërkuar një dëmshpërblim prej 250.000 frangash për klientin e tij. Të dy kosovarët janë kushërinj mes vete.


www.foxshop-ks.com