Sonte nga 19:00 deri në 05:00 të mëngjesit dhjetë komunave të Kosovës iu vihet dryni.
Komuna e Prishtinës, Podujevës, Obiliqit, Fushë-Kosovës, Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Ferizajt, Shtimes, Gjakovës dhe Pejës do të futën në karantinë pas vendimit Qeverisë së Kosovës për shkak të numrit të madh të infektuarve me virusin Covid-19.
Për t’i kontrolluar hyrje-daljet e këtyre qyteteve janë mobilizuar edhe Policia e Kosovës e cila ka hartuar edhe një plan operativ.
Në një përgjigje me shkrim për gazetën Objektiv nga ky institucion nuk kanë dhënë shumë detaje se sa zyrtarë policorë do të angazhohen, por kanë thënë se do të jenë në krye të detyrës për t’i zbatuar vendimet e ekzekutivit.
“Policia e Kosovës (PK), referuar vendimeve të institucioneve të Kosovës, si dhe referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus të ri COVID-19, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19”.
Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, thuhet në përgjigjjen e Policisë.
Sipas zyrës për media të Policisë, do të bashkëpunohet me të gjitha komunat në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit korona.
“Urdhri operativ i PK-së, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë sipas autorizimeve ligjore dhe vendimeve zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Policisë.