foto 12131 560x356 - Në Ferizaj për gjashtë ditë 42 aksidente e 1060 gjoba

Në Ferizaj, vetëm për gjashtë ditë (24.07.2018 – 29.07.2018) kanë ndodhur 42 aksidente, prej të cilave një me pasoja fatale, 18 me lëndime dhe 23 aksidente trafiku me dëme materiale.

Po ashtu në këtë periudhë kohore janë shqiptuar 1060 gjoba (tiketa).

Gjatë këtyre ditëve, sipas programit të Task-Forcës në Drejtorinë Rajonale të Ferizajt, janë kryer 199 patrullime në pika të ndryshme dhe janë vendosur 553 pika kontrolli.

Krejt këto masa vijnë pasi Drejtoria Rajonale e Policisë së Ferizajt ka zbatuar Urdhrin Operativ “Parandalimi i Aksidenteve në Trafikun Rrugor” të Policisë së Kosovës.

Kjo nënkupton masa shtesë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë, parandalimin e aksidenteve të trafikut dhe zbatimin e ligjshmërisë në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të trafikut rugor.

“Që nga momenti i zbatimit të këtij urdhri operativ, DRP e Ferizajt ka bërë koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, shtimin e numrit të zyrtarëve policorë duke vënë pika kontrolli dhe duke aplikuar metodat e avancuara nga ana e njësiteve policore me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik, me theks të veçantë të aksidenteve me pasoja fatale”, thuhet në komunikatën e Policisë së Ferizajt.

Në komunikatë thuhet po ashtu se përmes mediave lokale, DRP e Ferizajt, ka bërë thirrje dhe i ka njoftuar qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për veprimet shtesë operacionale policore në kuadër të Task Forcës, si mekanizëm i krijuar në kuadër të Urdhrit Operativ të Policisë së Kosovës.


www.foxshop-ks.com