Mëngjesin e sotëm, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga nënkryetari Naim Ferati dhe drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, familjarë të Dëshmorit të Kombit, Arsim Bega, përfaqësues nga organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të tjerë, bën homazhe në nderim të jetës dhe veprës së Dëshmorit të Kombit, Arsim Bega në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj.
Me këtë rast, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se gjaku i Dëshmorëve të Kombit, solli lirinë e vendit dhe se çdo ditë e kaluar i bën Dëshmorët e Kombit me vlera të përjetshme andaj edhe familja edhe gjithë kombi ndihet krenar për bijtë dhe bijat më të shtrenjta që nuk kursyen jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Edhe familjarët e Dëshmorit të Kombit, Arsim Bega, kujtuan me dhembje dhe krenari birin e tyre që ra në altarin e lirisë për më të shtrenjtën e kombit tonë, pavarësinë, lirinë dhe shtetin tonë.
Me vendosjen e kurorave të luleve dhe përkuljen para varrit të Dëshmorit të Kombit, Arsim Bega dhe para Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, përfunduan homazhet në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorit, Arsim Bega.