Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për paraburgimin e gjashtë personave, të dyshuar për trafikim me narkotikë.
Gjykata ka aprovuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve B.J; Sh.H; F.H; P.H; B.B dhe Sh.I, passi dyshohet se nga 16 maji deri më 7 tetor në Ferizaj dhe qytete tjera të Kosovës kanë transportuar dhe shitur drogë.
Të dyshuarit fillimisht janë furnizuar në Shqipëri dhe janë kapur në pikën kufitare në Vërmicë.
“Gjatë zbatimit të urdhër – kontrollit nga ana e Policisë në pikën kufitare në Vermicë, të dyshuarit B.J i janë gjetur substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 552 gr. Në të njëjtën kohë është bërë edhe kontrollimi në banesën e të dyshuarve të tjerë, dhe me rastin e kontrollimit nga ana e policisë janë sekuestruar substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 108.08 gr, ku një pjesë e saj ishte përgatitur në qese të vogla me qëllim shitje, si dhe një peshore digjitale, para në vlerë prej 3.100 euro, disa letërnjoftime të disa qytetarëve, të cilat janë sekuestruar përkohësisht nga Policia”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit B.B i njëjti në mënyrë të paautorizuar ka mbajtur në posedim revole të tipit M-57, me një karikatorë dhe 9 fishekë, një revole të kalibrit 6.35mm, me një karikator dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm si dhe 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të cilat janë sekuestruar përkohësisht.
“Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, ndërsa i dyshuari B.B edhe për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penal mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftim.