Organizuar nga gratë dhe aktiviste të tjera të shoqërisë civile, sot në Ferizaj është mbajtur marsh protestues, në të cilin u shfaq pakënaqësia me rastin e përdhunimit të një miture në Drenas.
“Nuk je hetues civil, je pedofil”, ” Aborti është zgjedhje jo detyrim”, ishin disa nga thirrjet e marshuesve.
Përfaqësuesja e këshillit organizativ, Dashurie Sefa tha se në vend se të japin dituri, vajzat e mitura po shfrytëzohen seksualisht.
“Ende pa u bërë 6 muaj po mblidhemi në këtë shesh për të protestuar për një vajzë. Po dalim për t’i dhënë mbështetje asaj, që e dhunuan dhe keqtrajtuan. Këtu para gjashtë muajve protestuam për rastin e një nëne dhe vajze të cilët u mbytën nga një burrë. Në vend se t’i jap dituri e bëri skllave seksuale. Këto gra e dinë që nuk gëzojnë të drejtën, sepse janë kapur nga burrat. Ky shtet është i burrave, kjo ngritje në detyra u lejon që të bëjnë keqpërdorime. Ato që nuk flasin e dinë që nuk do të gjejnë mbështetje nga shteti e po ashtu nga një pjesë e shoqërisë. Çdo ditë dhunohen vajzat tona në vendet e punës dhe shkolla. Ato heshtin se e dinë që secila prej thirrjeve do të hasë në vesh të shurdhër, apo ndonjë abuzuesi më të madh”, tha ajo.
Ndryshe, dy persona janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e paraburgimit me nga një muaj burg për rastin e dhunimit të një të miture 16-vjeçare në Drenas.