Teatri i Ferizajt “Adriana” për herë të parë është bërë me trupë rezidente aktorësh.
Kështu ka bërë të ditur vetë kryetari i kësaj komune, Agim Aliu në një postim në Facebook.
Aliu po ashtu ka bërë të ditur se e kanë mbështetur me qindra mijëra euro fonde publike.
Aliu deklaroi se me këtë nuk mbyllet përpjekja e tyre për të lartësuar artin dhe kulturën e Ferizajt.
Më poshtë postimi i tij i plotë:
Ferizaj dinjitetshëm mban epitetin e qendrës së artit e kulturës nga djersa, kreativiteti e talenti i shumë gjeneratave e përpjekja e të sotshmëve për ta lartësuar atë.
Sot, prita në takim, aktorët dhe stafin tjetër menaxherial e teknik të sapozgjedhur në Teatrin “Adriana”. Moment historik për teatrin tonë, për herë të parë me trupën rezidente të rregullt e pa mëdyshje si asnjëherë më parë të mbështetur nga ana jonë me qindra mijëra euro fonde publike, për t’i dhënë Ferizajt e ferizajasve, krijimet më të mira artistike e pasionin e kultivuar të publikut për dekada ndaj teatrit.
Këtu nuk mbyllet përpjekja jonë ta lartësojmë artin e kulturën në Ferizaj. Është Pallati i Kulturës, renovimi i Teatrit “Adriana” si objekt i vlefshëm i trashëgimisë kulturore, Festivali i Teatrove që do të ruhet si trashëgimi shpirtërore e kulturore, financimi i vazhdueshëm i projekteve e zgjidhje me infrastrukturën ligjore në kulturën lokale që kompletojnë kushtet e mundësitë për jetë më të begatë teatrore.