Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim presidentin Hashim Thaçi.
Haradinaj, në profilin e tij në zyrtar në “Facebook”, ka njoftuar rreth këtij takimi.
“Në vazhdën e konsultimeve për agjendën shtetërore, sot prita në takim Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, para udhëtimit të tij në ShBA”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Theksojmë që, Haradinaj dhe Thaçi kanë disa mospajtime rreth dialogut Kosovë-Serbi. Kryeministri ka dalë kundër idesë së presidentit që duhet të ketë korrigjim të kufirit. Sipas tij, kufijtë mund të ndryshohen vetëm nëse ka luftë.
Po ashtu, dy liderët kanë pasur edhe këndvështrime të ndryshme sa i përket taksës. Haradinaj ditë më parë kishte deklaruar se taksa 100 për qind ndaj Serbisë, do të hiqet atëherë kur bora do të shkrihet në dy anët. Duke nënkuptuar kështu me njohjen reciproke nga Serbia. Ndërsa Thaçi, përmes një statusi në “Facebook”, kishte shkruar se bora ka zënë të shkrihet shpejt, dhe që uron të mos bëhet skllotë.