Që nga fillimi i pandemisë e deri sot mbi 450 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në Kosovë. Në Ferizaj, tre vëllezër kanë vdekur nga koronavirusi brenda një muaji në familjen Ymeri. Ferat Ymeri, Murat Ymeri dhe Berat Ymeri, janë tre viktimat e koronavirusit që u shënuan në këtë familje. Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Kuvendit nga radhët e LVV-së, Hekuran Murati, i cili përmes një postimi në Facebook tregoi se i kishte kushërinj. “ Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt”, ka shkruar Murati. Postimi i plotë "Ferat Ymeri Murat Ymeri Berat Ymeri Tre vëllezër, kusheri të babit, të cilët virusi i mori brenda një muaji. Tre njerëz të urtë e punëtorë, ashtu siç përshkruhen nga secili që i ka njohur. Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt. Fjalët ngushëlluese në një tragjedi të tillë e humbin efektin. Krejt çka mund të bëjmë është të lutemi që familjet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë situatë, me shpresën që do të vazhdojnë t’i kujtojnë veprat e mira të më të dashurve të tyre. Pushoni të qetë kusho!"