Kryetari I PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se Kosovës i duhet një adresë e sigurt politike, një garanci që e zhvillon vendin dhe e integron atë në strukturat euro-atlantike, për të shtuar më tutje se kjo adresë sipas tij është PDK.
Këto komente, Veseli i ka bërë në takim me strukturat e PDK-së në Ferizaj, përcjell Klan Kosova.
“Fuqizimi i Partisë Demokratike të Kosovës do të thotë fuqizim i Republikës së Kosovës. Ky fakt duhet ta gëzojë secilin qytetar, por edhe kundërshtarët politikë. PDK po rritet dhe po fuqizohet çdo ditë me kuadro e intelektualë të shumtë që po i bashkohen. Kosovës i duhet një adresë e sigurt politike, një garanci që e zhvillon vendin dhe e integron atë në strukturat euro-atlantike. PDK është adresa më e mirë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është shprehur Veseli.
Pas hapjes së procesit zgjedhor në Degën e PDK-së në Ferizaj, Veseli ka takuar edhe strukturat e partisë në Shtërpcë, ku ka ftuar për hapje të partisë për kuadro të reja, për ta fuqizuar dhe rritur edhe më shumë PDK-në.
Veseli, po ashtu, ka thënë se shteti i Kosovës është në rrugë të drejtë, i orientuar drejt integrimeve euro-atlantike, falë vendosmërisë dhe punës së madhe që kanë bërë gjenerata të tëra.