Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, ka njoftuar se ka arritur t’i siguroj nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal. Vetëvendosje po kërkon interpelancë nga drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu, lidhur me gjendjen e ndërtimeve në Ferizaj, ndërsa idenë e saj, sipas zyrtarëve të VV-së, janë duke e përkrahur edhe një numër i anëtarëve të partive të tjera politike në këtë qytet.
“Ne deri më tani kemi siguruar 13 nënshkrime të këshilltarëve komunal dhe për ta konkretizuar këtë ide na duhet edhe një nënshkrim, ku besoj që e kemi pasi që anëtari i PDK-së Nehat Mustafa na ka premtuar publikisht që nëse ne sigurojmë 13 nënshkrime ai do të jetë anëtari i 14-të që do të nënshkruaj pro thirrjes së seancës së jashtëzakonshme, kështu që besoj se gjatë muajit qershor ne do ta kemi një seancë të jashtëzakonshme dhe drejtori Lulzim Aliu do të na sqaroj në detaje për gjendjen e ndërtimeve në qytet. Ne vlerësojmë që gjendja e ndërtimeve është kaotike dhe ky proces flet që ka shumë shkelje ligjore. Ne nuk po dëshirojmë të gozhdojmë asnjë individ”, tha Ali Halimi nga LVV.
Sipas Halimit, nënshkrues të këtij peticioni nuk janë vetëm anëtarët e opozitës. Ai tha se kjo nismë është mbështetur edhe nga ata që kanë hise në pushtet.
“Kryesisht janë anëtarë të opozitës, por ka edhe të pozitës, për shembull përveç Nehatit ka anëtarë nënshkrues edhe nga Nisma, ndërsa ata që kanë refuzuar janë të AAK-së, ku ne po shpresojmë se disa do të ndërrojnë mendje dhe do të bëhen pro këtij debati, ndërsa anëtarët e LDK-së nuk janë të gjithë ata që kanë nënshkruar, tashmë na kanë mbështetë vetëm disa prej tyre ku ne i falënderojmë për këtë vepër”, tha Halimi.
E, derisa Vetëvendosje po thotë se nga LDK-ja kanë nënshkruar 5 anëtarë, në anën tjetër kryetari i këtij subjekti politik në Ferizaj Muharrem Svarqa, tha se kjo iniciativë e Vetëvendosjes është përkrahur vetëm nga dy anëtarë të LDK-së. Svarqa thotë se nëse Vetëvendosje do të bashkëpunonte në vazhdimësi si opozitë e bashkuar, kjo ide ndoshta do të kishte mbështetje me më shumë vota të LDK-së.
“Me sa unë kam informacione sa i takon kësaj seance të jashtëzakonshme që kërkohet, LDK-ja nuk ka arritur një pajtueshmëri përkundër asaj që ne deri në marrje të qëndrimit kemi informacion që tashmë 2 anëtarë të LDK-së kanë qenë nënshkrues të këtij apeli dhe mendoj që temat e kësaj natyre mund te diskutohen kur edhe diskutohet raporti i punës, por edhe ai i debatit të 100 ditëshit, ku për fat nuk është trajtuar në përmasën e kërkesave që ka opozita. Ne kemi dashtë që të kemi një mundësi për gjetjen e bashkëpunimit për veprimtari të mëtejme në mënyrë që mos të jemi të ndarë se shpeshherë nuk votojmë njëjtë, pra jemi të interesuar të unifikohemi. Unë personalisht nuk do të nënshkruaj, sepse besoj se ka forma të tjera të marrjes së këtij informacioni, kujtoj se interpelanca është më shumë atak ndaj një individi dhe jo zhvillimeve të qeverisjes”, tha Svarqa.
Sido që të jetë, Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj paralajmëroi se edhe ditëve në vijim do të loboj tek anëtarët Kuvendit që të mbledhë sa më shumë nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu do t’iu përgjigjet atyre lidhur me gjendjen aktuale të ndërtimeve në këtë qytet.