auto ora31554362072 560x416 - “Ora” identifikon në Ferizaj dhjetëra raste të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve

Organizata për transparencë “Ora” gjatë periudhës së fundit kohore ka monitoruar disa biznese private në Komunën e Ferizajt, nëpër të cilat ka identifikuar dhjetëra shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Më së shumti shkeljet e të drejtave të punëtorëve po bëhen si pasojë e orarit të zgjatur të punës, madje edhe gjatë të dielave, punësimet pa kontrata, pagesat jo të rregullta, shmangia e tatimeve dhe një varg shkeljesh të tjera ligjore.

Ndërkaq në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2018 janë deponuar prej më shumë se një mijë e 700 ankesa nga punëtorët për shkelje të të drejtave të tyre në punë. Ndërkohë, Komuna e Ferizajt, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve ka nisur hartimin e një draftrregulloreje të re, e cila specifikon një varg kriteresh me qëllim që të gjitha bizneset të pushojnë ditëve të diela dhe gjatë ditëve të festave shtetërore, shkruan sot Koha Ditore.

Taulant Hajrullahu, drejtor ekzekutiv në organizatën për transparencë “Ora”, ka thënë se bizneset e Ferizajt janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të punëtorëve, andaj ka kërkuar nga Inspektorati i Punës të aktivizohen rreth kësaj çështjeje. Sipas tij, orari i stërzgjatur i punës, punësimi pa kontratë pune dhe pagesa jo e rregullt janë shkeljet më të shpeshta me të cilat po ballafaqohen punëtorët në Komunën e Ferizajt.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor i punës në nivel të vendit, ka thënë se gjatë vitit të kaluar në Inspektoratin e Punës janë paraqitur mbi një mijë e 700 ankesa nga punëtorët rreth çështjes së kontratave të punës, pastaj për orar të zgjatur dhe kryerje të punëve jashtë orarit etj.


www.foxshop-ks.com