flakadanet1 560x416 - ​Ndizen flakadanët në Ferizaj

Me ndezjen e shtatë flakadanëve, të cilët në vete ngërthejnë simbolikën e shtatë shfaqjeve konkurruese, të martën në mbrëmje është hapur edicioni i 44-të i Festivalit të Teatrove të Kosovës, një eveniment i kulturës i cili tradicionalisht mbahet në Ferizaj.

Me këtë rast është thënë se për gjatë shtatë ditëve sa do të zgjasë ky festival, para dashamirëve të artit skenik do të prezantohen vepra teatrore nga të gjitha viset shqiptare.

I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, nën patronatin e të cilit edhe po mbahet ky edicion ka thënë para audiencës se Ferizaj gjithnjë e më shumë po identifikohet si qytet i kulturës, në të cilin tradicionalisht janë mbajtur festivale nga lëmenj të ndryshëm të artit dhe ku tashmë kanë lindur e po zhvillohen edhe festivale të reja.

“Festivali i teatrove, me një traditë të gjatë e të pasur, pa dyshim se është tashmë pjesë e identitetit të Ferizajt. Sepse është vështirë të flitet për zhvillimin e kulturës në përgjithësi, e të teatrit në veçanti, pa e pasur parasysh edhe këtë festival, i cili synon të paraqesë arritjet vjetore tashmë pothuaj nga e gjithë gjeografia shqiptare. Më bën krenar edhe fakti që prej vitesh në Ferizaj gërshetohen krijime dhe shprehje artistike nga qendra të rëndësishme kulturore shqiptare. Ja, sivjet, do të kemi këtu shfaqje nga Prishtina, Tetova, Shkupi, Korça, Kumanova, Elbasani e Gjakova. Unë si kryetar komune, nuk kam si të mos ndihem i lumtur me këtë komunikim ndërshqiptar, i cili për mua paraqet një vlerë në vetvete, përveç nivelit artistik që përmban”, ka thënë Svarqa.

Sipas Svarqës, e veçanta e këtij festivali qëndron në faktin se sivjet për herë të parë, do të prezantohet edhe një projekt i përbashkët teatror ndërmjet dy qyteteve shqiptare, Elbasanit dhe Ferizajt. “Besoj fuqimisht se rritja e komunikimit artistik përmes projekteve të përbashkëta si ky, në mos tjetër, do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave nga shkolla e stile të ndryshme krijuese dhe do të jetë me përfitime të shumanshme, përfshirë edhe integrimin më të fuqishëm të rrjedhave kulturore ndërshqiptare”, ka nënvizuar kryetari Svarqa.

Festivali i sivjetmë prezantohet me shfaqje teatrore të zhanreve të ndryshme, të punuara nga trupat teatrore nga Shqipëria,Kosova e Maqedonia. Organizatori i festivalit ka bërë të ditur se përpjekjet kanë shkuar në drejtim që para publikut ferizajas të prezantohen ato vepra të cilat komunikojnë mjaftë mirë me publikun.

U bë e ditur se Festivali po organizohet nga Drejtoria e Kulturës e Ferizajt, ndërsa po ndihmohet edhe nga Ministria e Kulturës(MK) dhe sponsori i festivalit Raiffeisen Bank. Festivali ka karakter garues dhe mu për këtë janë paraparë edhe 8 çmime tradicionale të festivalit. Juria pesë-anëtaresh e festivalit në përbërje Agim Sopi, Igballe Qena, Agron Shala, Bardh Frangu dhe Mevlan Saraqi, do të përcaktohen për shfaqjen më të mirë.

Në natën e parë të festivalit para dashamirëve të teatrit është prezantuar shfaqja “Ekspozita” e autorit Vaclav Havel, inskenimin e të cilës e ka bërë Teatri “Dodona” nga Prishtina, në regji të Astrit Kabashit.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.