Stresi, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj, tërhoqi ankesën ndaj masës së sigurisë “arrest me burg”.
Reperi i njohur shqiptar u arrestua më 17 tetor me akuzën se është pjesë e një bande kriminale, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Vendimi i tij ditën e sotme i habiti të gjithë, pasi sipas “Balkanweb” Stresi i kërkoi avokatit që të mos zhvillohej gjyqi, me pretendimin se nuk ka besim tek drejtësia shqiptare.
“Dua të rri në burg, nuk kam besim te drejtësia”, kështu mësohet të jetë shprehur përmes avokatit të tij Stresi.
Ai u arrestua rreth dy javë më parë në një hotel në Linzë, ku policia i gjeti një armë si dhe një sasi kokaine, ndërsa lidhur me ngjarjen babai i tij, Sali Lushaj, është shprehur se ishte arrestim politik.
Pavarësisht se gjatë arrestimit u raportua se Stresi ishte me një 20-vjeçare, e fejuara e tij Kejsi ka treguar gjatë gjithë kohës mbështetjen e saj.
Sali Lushaj u shpreh se 20-vjeçarja ishte një fanse e reperit dhe ndodhej aty në momentin që iu bë kurthi, vetëm për të bërë një foto.