Punëtorët e Viva Fresh Store, janë duke punuar deri në 15 orë në ditë, pa pauzë dhe pa asnjë ditë pushim në javë, si pasojë e një vendimi që kompania ka marrë këtë muaj, për shkak të përgaditjeve dhe fluksit më të madh për festa.
Pas raportimit, në faqen zyrtare të Viva Fresh Store, mijëra qytetarë nisën fushatën me komente në postimet e kompanisë, duke kërkuar trajtim më të mirë për punëtorët. Kuptohet, kompania nisi t’i fshijë komentet në Facebook, me sa duket duke angazhuar punëtorë shtesë. Periskopi shpreson që të paktën atyre punëtorëve që i fshijnë komentet, ua respekton orarin dhe të drejtat sipas sipas ligjeve në fuqi.
Drejtori i marketingut të kësaj kompanie, Erton Bega, ka folur për një media lokale të Ferizajt. Në vend se të kërkojë falje në emër të kompanisë për shkeljen e rëndë të drejtave të punëtorëve, për Tv Tema, Bega ka mohuar kategorikisht se në Viva Fresh Store po keqtrajtohen ata, por ka hedhur akuza të pabaza ndaj Periskopit, duke thënë se kjo po bëhet për qëllime financiare.
Periskopi, sipas tij, inskenon “situata” brenda kompanisë, derisa nuk ka folur për vendimet që edhe ai si pjesë e stafit të lartë mund t’i ketë marrë, e që janë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me kontratat që kompania lidh me punëtorët.
Bega, ka thënë se Periskopi “në mungesë të qëllimeve financiare ka filluar të inskenoj situata në kompaninë tonë”, deklaratë e cila duket shumë e koklavitur për t’u kuptuar saktë.
Drejtori i Marketingut të Viva Fresh Store ka thënë se kompania e tij respekton të gjitha të drejtat e punëtorëve sipas ligjeve në fuqi.
“Unë mund të deklaroj se të gjithë punëtorët që ne i kemi janë me kontrata pune sipas ligjit në fuqi dhe për të gjitha angazhimet që marrin qoftë në kuadër të rregullt, qoftë nga orari shtesë ata paguhen ose iu kompensohen me ditë të lira, kështu që deri tani ne nuk kemi asnjë kontest ligjor ku ne kemi bërë ndonjë shkelje apo nuk i kemi respektuar të drejtat që i garanton ligji i punës”, ka thënë ai.
Mirëpo e vërteta është krejt ndryshe. Dhjetëra punëtorë të kompanisë kanë denoncuar në mënyrë të hapur e anonime këtë kompani përmes mediumit tonë.
Periskopi do të raportojë edhe ditëve të ardhshme lidhur me trajtimin mizor që Viva Fresh Store u bën punëtorëve të vet.