Këtë vit klubi futbollistik „Tefik Çanga“ në Tërrn të Ferizajt shënon një përvjetor të madh: atë të 40 vjetorit të themelimit të tij. Kjo nuk është ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme, por për tërrnasit veçanërisht dhe për sportin ferizajas përgjithësisht është diçka dhe do të thotë shumë. Vetë tërrnasit shquheshin gjithnjë si dashamirës të arsimit dhe të kulturës dhe për këtë kanë dhënë edhe prova. Po pse të mos ishin prandaj edhe sportdashës, derisa fshati kishte edhe një rini të shëndoshë me plot dëshira dhe vizione për të ardhmen? Ndaj s‘ kishte se si të mungonte kjo.
Si erdhi deri te formimi i klubit futbollistik „Tefik Çanga“? Kjo kishte ndodhur krejt natyrshëm. Futbolli ishte një nga sportet më atraktive , veçanërisht të të rinjëve të moshës rinore, të cilët sapo shihnin topin e futbollit në lëndinën e fshatit grumbulloheshin si me magji. Kumbimi i goditjeve të topit ishte si një alarm që të rinjtë e fshatit të tuboheshin atje ku po niste loja e bukur e futbollit. Fshati ishte gjithandej rrethuar me shtëpi, e në mes të dukej sikur arkitektët popullorë kishin lënë kastile një lëndinë për frymëmarrje, të cilën do ta kishin lakmi shumë fshatra.
Dhe ja kështu pasi kishin kaluar vite, këta të rinj entuziastë plot ëndrra dhe dëshira, kishin vendosur që me futbollin, më në fund të merreshin në një mënyrë më të organizuar, për aq sa lejonin rrethanat dhe kushtet e tyre hapësinore dhe infrastrukturore. Dhe diçka mund të bëhej patjetër. Duke pasur elan, ide, dëshirë dhe vullnet, ata ëndrrën e tyre të stisur ndër vite në vete donin ta bënin realitet dhe kështu të ngjallnin jetën e tyre sportive, për të cilën posedonin potancialin kryesor: atë të rinisë së shëndoshë, që aspironte dhe që kërkonte diçka më shumë. Këta djem vullnetmirë, mbështetur edhe nga strukturat e fshatit, pikërisht para dyzet vjetësh e finalizuan ëndrrën e tyre dhe klubi futbollistik më në fund nisi me këmbë të mbarë. Kush do ta drejtonte atë? Kryetar u zgjodh mësuesi dhe veprimtari i madh Ahmet Ejupi, nënkryetar pedagogu Fehmi Salihu dhe sekretar drejtuesi i kombinatit „Tefik Çanga“, Hetem Ibrahimi. Po emri? Ç‘ emër do t‘ i vinin kësaj skuadre flamurtare dhe këtyre bluzave sportive?
Edhe kjo erdhi krejt natyrshëm, meqë sponzorizuesi kryesor i klubit do të ishte Kombinati i Drurit „Tefik Çanga“ në Ferizaj. E pse të mos ishte? Ai ishte emri i një heroi dhe ishte edhe emri i një kombinati të madh, në të cilin punonin dhe nxirrnin bukën e gojës edhe njerëz nga vetë fshati Tërrn. Shumë shpejt skuadra emërmadhe u bë e njohur dhe flamuri i saj po ngjitej lart e më lart. Me lojtarë të disiplinuar, të cilët nën udhëheqjen e mësuesit, trajnerit dhe veteranit të futbollit, Imri Sadiku dhe të pedagogut Ismet Ejupi, nisën hapat e parë në fushën e gjelbër, për t‘ u bërë njëkohësisht edhe bukuroshja e fshatit. Çdo fillim ishte i vështirë, por çdo fillim kërkonte edhe energji. Shumë shpejt këtij klubi iu bashkuan dhe aderuan në të edhe lojtarë të tjerë nga fshtarat e tjera në nivel të komunës së Ferizajt dhe madje edhe më gjerë . „Tefik Çanga“ , kjo ëndërr e bukur rinore e fshatit Tërrn, u bë emër i madh sportiv që joshi edhe futbollistë të tjerë nga rrethet e tjera, të cilët pa hezitim iu bashkuan klubit dhe bënë karrierë sportive në të.
Me punë dhe disiplinë permanente, ekipi futbollistik i klubit „Tefik Çanga“ i solli vetes fitore të mëdha aq sa u ngrit para lufte fuqishëm edhe në Ligën e Parë të Republikës së Kosovës, duke u bërë njëherazi emër i nderuar e i vlerësuar, për të cilin tashmë flitej dhe shkruhej kudo. Të dielat e fshatit ishin bërë tashmë ditët më atraktive dhe ishin shndërruar pothuajse në ditë festive, ku gjëmonte edhe daullja solemne në mbështetje të skuadrës garuese dhe ku përveç banorëve të fshatit Tërrn, spektatorë të këtyre ngjarjeve sportive ishin edhe banorë të fshtarave përreth por edhe nga Ferizaj , madje edhe nga Prishtina. Fshatit i shtohej jeta e gjallëria. Aty ishin spektatorë të rinj dhe pleq, burra dhe gra, djem dhe vajza. Nga ky grumbull i madh njerëzish të zjarrtë për futbollin, shumë nga këta do të jenë më vonë, kur ra kushtrimi , ushtarë dhe luftëtarë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kështu këto lojëra dhe manifestime sportive u shndërruan edhe në pika të forta takimi e referimi me karakter edukativ, informativ, kulturor dhe kombëtar. Kjo sigurisht për pushtetin sërb atëherë ishte edhe një halë në sy më shumë, ndaj jo rrallë uniformat policore u konfrontuan me ta dhe penguan shumë aktivitete dhe orare kalendarike sportive të këtij klubi. Kjo dhunë policore nga njëra anë dhe duatrokitjet e tifozerisë shqiptare ,nga ana tjetër, tashmë ishin shndërruar në antiteza të fuqishme ku secila mundohej t‘ ia kalojë tjetrës dhe ku midis zhurmës së kamxhikëve dhe kërbaçit të pushtetit, mirrte krahë fluturimi, imagjinata, dëshira dhe vrulli për liri dhe pavarësi nga fallangat serbe.
Me të mbaruar lufta, tashmë klubit „Tefik Çanga“ i ishin hapur perspektiva të reja, më të mëdha, më të ndritura, më të lira, ndaj edhe futbollistët jo që s‘ u ndalën, jo që s‘ pushuan, por vullnetet e tyre u shtuan dhe u forcuan edhe më shumë. Me ndihmën e komunës së Ferizajt, tashmë në liri, edhe infrastruktura sportive mori një pamje krejtësisht të re, duke u bërë kështu frymëzim edhe më i madh për punë, për aktivitete dhe për suksese edhe më të mëdha të klubit. Ndaj pa ndalesa dhe hamendësime vazhduan rrugën, tashmë të trasuar me mund, me djersë dhe me gjak.
Klubi futbollistik „Tefik Çanga“ kishte ngritjet dhe rëniet e veta, siç ndodh rëndom në jetë, por kjo nuk i ndaloi ata që të vazhdojnë pandalshëm në garime të reja dhe fusha e saj e gjelbër, bashkë me futbollistët, që freskonin dhe rifreskonin klubin me lojtarë të rinj, vazhdojnë të jenë krenaria dhe logoja apo emblema më e bukur e e fshatit Tërrn. Ata sot aktivitetin e tyre sportiv e shpërfaqin fuqishëm të ranguar tashmë në Ligën e Dytë të Kosovës, por gjithnjë duke punuar me edukatë, me kulturë dhe me disiplinë sportive për suksese të tjera të reja. Si të tillë futbollistët e „Tefik Çangës“ mund të quhen me të drejtë ambasadorë të sportit e të paqës, që me përkushtim ecin tutje duke ia rritur emrin vetes dhe duke ia shtuar edhe krenarinë fshatit dhe komunës , në të cilën gravitojnë. Të gjitha këto ata i kanë arritur me punë vetëmohuese, përkushtuese, por edhe me bashkëpunim brendapërbrenda vetes si skuadër, si klub, si fshat, si shoqëri me një mendësi pozitive dhe progresive moderne që shikon dhe ecën tutje me ballin lart drejt ardhmërisë./botasot/