Prishtinë, 22 janar 2018 – Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Kosovës nuk do t’i vihen kushte të reja për liberalizimin e vizave, sepse ajo i ka plotësuar tashmë të gjitha kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian.
“Më duhet të theksoj se nuk do të ketë më kushte të tjera sa i përket çështjes se liberalizimit të vizave dhe se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret që i ishin caktuar”, ka thënë Apostolova për RTV21
Ajo ka thënë se tani çështja mbetet tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat marrin vendime individualisht.
“Vitin e kaluar politika kosovare kishte shpallur data që liberalizimi i vizave do të ndodhte deri në fund të vitit. Përndryshe, duhet të them që Komisioni Evropian e ka kryer punën e vet, Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian i është dhënë rekomandimi. Tani topi është në oborrin e shteteve anëtare, të cilat duhet të marrin vendime, secila veç e veç”, ka thënë Apostolova. (r.m.)