Largimi i qytetarëve të Kosovës nga vendi që ditëve të fundit ka marrë hov të madh, është kryesisht i motivuar nga gjendja e rëndë sociale në vend. Ata thonë se për shkak të pamundësisë për të gjetur punë, shpresat për një jetë më të mirë në Kosovë tashmë janë shuar.
Mirëpo, një gjë e çuditshme po ndodh në Ferizaj, ku qindra biznese ankohen se nuk po mund të gjejnë punëtorë të interesuar për punë, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë me dije së bizneset në këtë komunë kanë ofruar 500 vende pune me pagë minimale në vlerë prej 300 euro në muaj.
Ai ka treguar se rreth 20 biznese në komunën që drejton kanë kërkuar ndihmë nga ai për të gjetur punëtorë të kualifikuar në fushat përkatëse.
Mirëpo, siç kanë rrëfyer për Klan Kosovën disa nga pronarët e këtyre bizneseve, ata janë duke u përballur me me mungesë të interesimit për punë.
Një nga pronarët e këtyre bizneseve thotë se rroga fillestare për praktikantë shkon deri në 300 euro, ndërkohë që për personat e kualifikuar, paga sillet deri në 700 euro. Megjithatë, siç thotë ai interesimi është shumë i vogël.
Për të gjetur një zgjidhje për këtë biznese, kryetari Aliu paralajmëroi bashkërendim me Qendrën Komunale të Punësimit.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot në orën 10:00 në një seancë të jashtëzakonshme do të debatojë për ikjet e qytetarëve nga vendi me ç’rast synon ta parandalojë këtë dukuri përmes një rezolute.