Burqa 600x3601 560x360 - Kërkohet ndalimi i përdorimit të burkas në Kosovë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ditë më parë ka dal me një rekomandim për institucionet e vendit që me ligj të ndalojnë përdorimin e burkës në vendet publike dhe gjykata. Kjo ide ka gjetur mbështetjen të ligjvënësve, teksa Avokati i Popullit vlerëson se mbajtja e simboleve fetare mund të përcaktohet vetëm me ligj e jo ndryshe.

Kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala ndalesën e burkës në vendet publike e arsyeton duke thënë se duan që t’i ruajnë nga stigmatizimi gratë që mbajnë një mbulesë të tillë.

Shala thotë se Këshilli ka dal me këtë mendim me qëllim që të mos rrezikohen gratë dhe vajzat që bartin burkën, duke i ditur edhe paragjykimet e shoqërisë ndaj tyre.

Shala: Të ndërmerren masa parandaluese për të eliminuar stigmatizimin e këtyre femrave


“Ne kemi dal me këtë rekomandime që të ndërmerren masat parandaluese sepse së pari planin edukativ që të eliminojnë këtë kategori të femrave nga stigmatizimi, sepse e dinë shumë mirë se si priten në rrugë…Ne kemi dal si rekomandim për me parandalua situata më të rënda sepse ndonëse ky është numër i vogël krahasuar me numrin e besimtarëve dhe banorëve në përgjithësi, nuk është se paraqet rrezik për shoqërinë, por më shumë paraqet rrezik për ato që i bartin burkat sesa për opinionin, dhe mendoj se është një kod i veshjes që duhet t’i përmbahen të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe nuk ka logjik që dikush të hyjë nëpër lokale dhe të dal rrugëve publike me fytyrë të mbuluar duke mos e ditur as identitetit kush është, as kush fshihet pas asaj burke”, shprehet Shala.

Shala thotë se një veshje e tillë nuk ka të bëjë fare me fenë islame, por ka ardhur si rezultat i luftërave në Siri.

Teksa sqaron se nuk janë kundër këtij komuniteti që mbajnë burkën, kryetari i KMDLNj-së thotë se ata janë pro mbajtjes së shamisë dhe e mbrojnë këtë të drejtë që e garanton edhe ligji.

Shala po ashtu deklaron se veshja e burkas në hapësirat publike është e papranueshmedhe se të gjithë duhet t’i përmbahen një kodi të veshjes.

Shala: Mbajtja e burkas nuk ka të bëjë fare me fenë islame

“Kjo nuk ka të bëjë fare me fenë është një përpjekje e bartjes së një ideologjie e cila është e huaj për besimtarët e Kosovës , kjo nuk ka të bëjë asgjë, sepse nuk ka pasur derisa ka ndodhur rasti i luftës në Siri, nuk kemi pasur raste që dikush ka bartur burka, ka pasur femra të mbuluara edhe ato femra që kanë pasur shami nuk janë mirëpritur nga opinioni dhe ka pasur sulme ndaj tyre dhe u është kërkuar të hiqe shamia që ne këtë e kemi kundërshtuar, mirëpo burka definitivisht nuk mund të jetë asnjë vend në jetën publike të Kosovës, dhe në aspektin e të drejtave të njeriut nuk ka të bëjë aspak me të drejtat e njeriut, dhe as në aspektin fetar dhe mendoj që nuk duhet të bëhen përjashtime sepse sot mund të kërkohen burkat, nesër në vend të Kodit Penal mund të kërkohet Ligji i Sheriatit”, thotë ai.

Lidhur me këtë rekomandim të KMDLNJ-së, avokati i popullit, Hilmi Jashari i referohet Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut për çka thotë se përdorimi i simboleve fetare duhet të rregullohet me ligj.

Jashari: Neni 8 i Konventës Evropiane lë autoritetin shtetëror të vendos për përdorimin e simboleve fetare në vendet publike

“Qëndrimi i Konventës Evropiane është se kjo çështje bie në domenin e nenit 8 të Konventës Evropiane për jetën private dhe familjare, interesante e krejt kësaj pune është se neni 8 lë në diskrecion për autoriteti shtetëror me vendos se cili është interesi më i mirë i shtetit…Kërkesa e vetme e këtij neni është që kjo çështje të rregullohet me ligj prandaj është vullnet i ligjvënësve ose i një debati të përgjithshëm publik, për të parë se cili është interesi i shtetit, meqenëse ne me Kushtetutë jemi shtete sekular, mirëpo a jemi pro lejimit të përdorimit të simboleve fetare në hapësirat publike apo jo është një dilemë që duhet të vendos ligjvënësi, mirëpo duhet rregulluar me ligj”, thotë Jashari.

Përkrah nismës së KMDLNJ-së, ka dal edhe anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Teuta Haxhiu e cila thotë se mbajtja e burkës nuk e tregon traditën dhe kulturën tonë.

Deputetja e AAK-së deklaron se siguria është mbi të gjitha, prandaj, sipas saj, është tejet e rëndësishme të dihet se kush fshihet prapa asaj veshje.

Haxhiu: E përkrahi fuqishëm rekomandimin e KMDLNJ-së.

“Unë e përkrah këshillin dhe e përkrah fuqishëm, jam pra në cilindo vend që të paktën edhe shamitë që i kemi shumë femrat të zonja dhe të nderuara shumë herë janë kritikuar pa arsye, kurse sa i përket burkas unë mendoj që unë e kam problem kudo që janë nuk tregojnë një kulturë tonën, nuk e tregojnë një traditë që e kemi pasur, nuk e di se kah kanë ardhur këto shpikjet të reja, dhe personalisht pra si anëtare e këtij komisioni e mbështesë fuqishëm kërkesën të këshillit”, thotë ajo.

KosovaPress ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës lidhur me këtë rekomandimet të KMDLNJ-së por që nuk kanë dashur të flasin me arsyetimin se myftiu, Naim Tërnava do të mbledh Këshillin Fetfa për të diskutuar për këtë çështje.

Kujtojmë se kjo temë u aktualizua kur gratë e riatdhesuar nga Siria mbanin burka dhe ashtu të veshura kanë dal edhe para trupit gjykues, të cilat nën masën e arrestit shtëpiak po gjykohen për veprën penale; Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.


www.foxshop-ks.com