Paraditen e sotme, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi bashkë me kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, kryetarin e OVL- UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, bashkëluftëtarë e dhjetëra qytetarë bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në 20 vjetorin e rënies heroike të Dëshmorit të Kombit, Rexhep Demiri.
20 vjet nga sakrifica e Dëshmorit të Kombit, Rexhep Demiri, rënia në altarin e lirisë në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë rast, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi tha se kjo ditë e dhembjes dhe krenarisë është shembulli sesi Dëshmorët e Kombit, mbi gjithçka patën fatin e atdheut, lufta e të cilëve solli lirinë e Kosovës.
Me vendosjen e kurorave të luleve dhe përkuljen pranë varrit të dëshmorit, Rexhep Demiri dhe lapidarit të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj u mbyllën homazhet në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së Dëshmorit të Kombit, Rexhep Demiri.